Në një kohë kur sektori financiar po transformohet nga teknologjia dhe presioni i tregut, Banka e Shqipërisë kërkon që mikrofinanca të mos humbasë funksionin e saj kryesor, atw tw ofrimit tw mbwshtetjes  për qytetarët dhe bizneset që kanë më pak akses në shërbimet bankare.

Mesazhi u dha nga zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, gjatë Konferencës së 28-të të Qendrës së Mikrofinancës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve financiare, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të sektorit nga rajoni dhe Europa.

Ahmetaj vlerësoi rolin që mikrofinanca ka luajtur në zgjerimin e përfshirjes financiare dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla, sidomos për shtresat dhe zonat që kanë më pak akses në bankat tradicionale.

“Misioni primar i mikrofinancës është të jetë një alternativë e përballueshme dhe një mbështetje sociale për shtresat që kanë më tepër nevojë për një derë të hapur në sektorin financiar. Përtej dimensionit financiar, mikrofinanca duhet të kontribuojë në krijimin e mundësive për zhvillim, punësim dhe përfshirje ekonomike, duke ruajtur gjithmonë balancën mes objektivave tregtarë dhe përgjegjësisë sociale.” u shpreh ajo.

Ahmetaj theksoi se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë vitet e fundit masa për rritjen e transparencës, mbrojtjen e konsumatorit dhe përmirësimin e cilësisë së kreditimit në sektorin jobankar. Në këtë kuadër, ajo përmendi ndryshimet rregullatore të ndërmarra për forcimin e administrimit të rrezikut dhe transparencës ndaj klientit.

Sipas saj, besimi publik dhe reputacioni mbeten elementë kyç për të ardhmen e industrisë së mikrofinancës, ndërsa vetë sektori duhet të ketë mision ofrimin e një alternative të përballueshme dhe të përgjegjshme financiare për shtresat më në nevojë.