Në ditët e sotme, një nga rreziqet më të padukshme, por njëkohësisht më të përhapura për shëndetin tonë janë mikroplastikat. Këto grimca të imëta plastike, të padukshme për syrin e lirë, kanë depërtuar tashmë në ajrin që thithim, në ujin që pimë dhe në ushqimet që konsumojmë çdo ditë. Studimet e fundit tregojnë se mikroplastikat mund të grumbullohen në trupin e njeriut, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin e tyre në tru, sistemin hormonal dhe shëndetin e përgjithshëm. Specialisti i bimëve mjekësore, Yll Merja, ngre alarmin në "Rreze Dielli" në Report Tv, për rrezikun që vjen nga mikroplastikat, duke shpjeguar burimet kryesore të tyre dhe mënyrat se si ato futen në organizmin tonë. Ai thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe të ndërmarrjes së hapave konkretë për të reduktuar ekspozimin, si dhe sugjeron metoda natyrale për të ndihmuar në pastrimin e trupit dhe mbështetjen e funksioneve të trurit.

‘Mikroplastika është si një “pluhur” i kohës moderne që bie si mjegull e padukshme mbi trupat tanë. Mund ta marrim kur thithim në ajër, marrim me ushqim, me ujë. Mikroplastikat mund të jenë shumë të vogla dhe hyjnë kudo. Gjenden në ujë, në ajër, në pluhurin e shtëpisë, në produktet e përpunuara, në produkte të përditshme në enë gatimi, ambalazhe, në rroba najloni apo sintetike që veshim, në produkte që ambalazhohen në plastikë, në kozmetikë dhe shampoo. Por gjendet dhe në ushqime të detit, në ushqime të përditshme si mjalti, pijet, mish, djathë, në shumë produkte të tjera. Pra mikroplastika gjendet në gjithë zinxhirin e jetës sonë, ato veç përhapen dhe ndikojnë në çdo sistem të jetës sonë”, thekson Merja.

Sipas specialistit Merja, por dhe shumë studimeve, dëmet që kryejnë këto mikroplastika në organizmin tonë janë shumë të mëdha.

“Dëmtojnë qelizat e mëlçisë, të zorrës dhe depërtojnë në gjak. Gjithashtu përmes ajrit që thithim mund të hyjnë në mushkëri.  Dëmtojnë qelizat imunitare, sistemi imunitar bëhet më i dobët, organizmi mund të transportojë më shumë toksina nëpër organe. Dëmton gjakun, çrregullon funksionimin normal të trupit, duke qenë se depozitohen në mëlçi, veshka, tru, placentë, konsiderohen problem sistemik jo vetëm i një organi”.

Efektet negative në trup nga mikroplastika

Ndikim në estrogjen, çekuilibër hormonal, pasi lidhen me receptorët e estrogjenit dhe trupi mendon se ka shumë estrogjen.

Bllokim i hormoneve të mira, pengojnë veprimin normal të estrogjenit dhe progesteronit.

Ndikim në tiroide: lodhje, shtim në peshë, ndjesi ftohjeje.

Rrisin rrezikun për: çrregullim të metabolizmit, çrregullim të funksionit të veshkave dhe mëlçisë, çrregullim dhe inflamacion në sistemin e qarkullimit të gjakut

Zorrë e inflamuar e plasaritur: shumë mikroplastikë në gjak, pak fibra në ushqime sjellin më shumë mikroplastikë në organizëm.

Në disa raste depozitimi në tru mund të krijojë probleme me veprimtarinë e tij.

Si mund të minimizojmë çlirimin e mikroplastikës:

Të mos përdorim ushqime në enë plastike, sidomos në temperatura të larta

Të mos përdorim shumë ambalazhe plastike

Të mos përdorim produkte sintetike kur është e mundur

Të shmangim plastikat njëpërdorimëshe

Përdorni shishe uji prej çeliku ose qelqi

Zëvendësoni dërrasat plastike të prerjes me dru

Të përdorim më shumë materiale natyrale

Këto kimikate janë të vështira për t’u eliminuar, ndaj ekspozimi i vazhdueshëm është problem real. Por a mund të “detoksifikohet” trupi nga mikroplastikat?

“E vërteta është se nuk ekziston ende një metodë e drejtpërdrejtë për të pastruar plotësisht mikroplastikat nga trupi. Megjithatë, mund të mbështesim mekanizmat natyralë të trupit për eliminimin e toksinave dhe të ulim ndikimin e tyre”, thekson Merja, duke këshilluar:

* Filtroni ujin që pini çdo ditë dhe pini sa më shumë ujë

* Ushqime sa më pak të përpunuara dhe të kripura

* Çajra sa më natyrale dhe pa ambalazh

* Të ruajmë shëndetshëm zorrët

* Ushqimet që konsumojmë të përmbajnë fibra

* Enët e gatimit INOX ose qeramike

* Mos ngrohni ushqimin në plastikë

* Mos mbështillni ushqim të nxehtë në plastikë

* Ajrosni sa më shumë ambientin

Mikroplastikat rrisin stresin oksidativ në trup. Për ta balancuar këtë, është e rëndësishme të forcojmë sistemin antioksidues. Zorra është një barrierë selektive që nuk lejon mikroplastikën të hyjë në gjak. Fibrat në ushqime lidhen me të dhe ndihmojnë në eliminimin e saj.

Si të mbrohemi

Pini ujë mesatarisht 1.5 -2 litra

Konsumoni 2-3 perime në ditë si lakër, karrotë, domate, brokoli, qepë, hudhra…

Konsumoni 1 lugë fara liri ose chia

Konsumoni 1 frut me lëkurë (mollë, dardhë)

Burim drithi, muesli, tërshërë

Çaj detox 2-3 gota në ditë

Bimë mjekësore: bar majasëlli, lule bishtamithi, hithra, mëllagë, lule basani, bar blete, angjinare

Konsumoni frut boronice 1 gotë në ditë

Edhe pse ne nuk mund t’i shmangim plotësisht mikroplastikat, mund të ulim ekspozimin, të forcojmë sistemet natyrale të detoksifikimit dhe përmirësojmë stilin e jetesës.