Miku i paftuar që Enver Hoxha
refuzoi ta takojë në 1983

Miku i paftuar që Enver Hoxha<br />refuzoi ta takojë në 1983
TIRANE- Po thuajse dy vjet para vdekjes së tij, Enver Hoxha, ende hante veten me dhëmbë, për të mos lëshuar pe ndaj perëndimit, joshjeve apo provokimeve që i vinin prej andej. Në korrikun e 1983, në mbledhjen e sekretariatit të 2 korrikut, ai trajton mes të tjerave një temë mjaft delikate për të. Kryeministri i Maltës Dom Mintofi (Duminku Mintoff) kishte lajmëruar për një vizitë private në Shqipëri, ndërsa do të kryente një udhëtim në Mesdhe. Por a ishte i mirëpritur ai në vendin e izoluar komunist? Duke e cilësuar që në krye provokator, Hoxha hedh dyshimin se ai është dërguar nga anglezët.

“...me sa më duket mua, takimin ky e kërkon me qëllim të caktuar, ndoshta i shtyrë nga anglezët për ndonjë pazarllëk për çështjen e incidentit të Kanalit të Korfuzit. Mund të sugjerojë në emër të tyre një dëmshpërblim prej një milion stërlinash ose më pak, ashtu siç e kanë zakon anglezët”, thotë Hoxha ndërsa shton se nuk bëhet fjalë që ti plotësohet kërkesa Dom Mintofit, pra një takim direkt me të. “Jo, në asnjë mënyrë, Ramiz. As që bëhet fjalë për mua”, thotë Hoxha dhe shton pak më vonë se ai mund të takohet me kryeministrin Adil Çarçanin, pasi fundja  kryeministër është edhe ai. Sipas parashikimeve të Hoxhës, nëse do ta priste vetë ai, pas Mintofit do të vinin të tjerë, që nga Papandreu i Greqisë apo “Kenan Evreni i Turqisë”, gjë të cilën udhëheqësi komunist as që e çon nëpër mend.

 Dokumenti
 
Shoku Enver Hoxha: Si do t’ia bëjmë mikut të paftuar more Ramiz?
Shoku Ramiz Alia: Dom Mintofit?
Shoku Enver Hoxha: Po. Mik i paftuar është ai. Çfarë provokatori!
Shoku Ramiz Alia: Në bisedën që ka bërë me ambasadorin tonë, përveç asaj që lexuat në radiogram, Reizi më tha tani se Dom Mintofi i kishte thënë se, kur kanë bërë marrëveshjen me anglezët për të fituar pavarësinë e Maltës, atëherë ata, anglezët, u kishin vënë kusht që të mos kenë marrëdhënie me Shqipërinë. Kështu ka thënë ai. Nejse, kjo është për...

Shoku Enver Hoxha: Për të na bërë qejfin neve.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, e për të na thënë ja, pavarësisht nga ajo, ne kemi marrëdhënie me ju.
Shoku Enver Hoxha: Iu prish puna anglezit se Dom Mintofi ka marrëdhënie me Shqipërinë.
Shoku Ramiz Alia: Asgjë s’i prishet anglezit. S’është problem fare për anglezët një gjë e tillë.
Shoku Enver Hoxha: Mua më duket se ai është dërguar te ne nga vetë anglezët.

Shoku Ramiz Alia: Po, po, mund të jetë dërguar nga anglezët.
Shoku Enver Hoxha: Dhe nga gjithë të tjerët.
Shoku Ramiz Alia: Ashtu është, shoku Enver. Sidoqoftë, për mendimin tim, unë them ju mos ta prisni.
Shoku Enver Hoxha: Jo, në asnjë mënyrë, Ramiz. As që bëhet fjalë për mua.
Shoku Ramiz Alia: Ashtu, për ju as që bëhet fjalë. Po meqë ai, siç thotë, do të bëjë “shëtitje” në Mesdhe, Adili si kryeministër, se dhe ai kryeministër është, mund t’i bëjë një drekë në Durrës ose në Vlorë, kur të vijë. Se ta refuzosh ardhjen e tij fare, nuk shkon.

Shoku Enver Hoxha: Atë e mendova edhe unë, Ramiz, për Adilin se kryeministër është ai. Unë mendova gjithashtu që t’i bëhet një notë a një lajmërim për t’i thënë që e pranojmë me kënaqësi vizitën e tij, mund të urdhërojë dhe të qëndrojë, siç dëshiron, një ditë në Shqipëri, meqenëse është duke bërë një shëtitje nëpër mesdhe. Meqenëse vizita është në formë private, t’i rekomandojmë Durrësin ose Sarandën ku të ankorohet anija e tij dhe ta njoftojmë se do ta presë e to të bisedojë me të ministri ynë i Punëve të Jashtme, Reiz Malile.
Shoku Ramiz Alia: Po, edhe ashtu mund të veprojmë.

Shoku Enver Hoxha: Pse them të veprohet kështu? Sepse kam parasysh të ardhmen, për vizitat që mund të kërkojnë të bëjnë edhe të tjerë. Ja, për shembull, Papandreu, megjithëse ka diçka që e pengon, ligji i gjendjes së luftës me vendin tonë që në vitin 1939, siç e dimë e siç e kemi parë, tërthorazi po kërkon të vijë për vizitë te ne, kërkon ta ftojmë.
Shoku Ramiz Alia: Posi, kështu është.
Shoku Enver Hoxha: Ambasadorit tonë në Athinë njerëz të ndryshëm i thonë se Papandreu do të vijë në Shqipëri. Le që këtë e tha edhe vetë ai.

Shoku Ramiz Alia: Po, po, e tha vetë ai, e bëri hapur ai këtë hap.
Shoku Enver Hoxha: Unë, - tha, - kam dëshirë të vete atje. Nuk e di, - tha ai, - si e kanë zgjidhur shqiptarët problemin e socializmit. Kjo do të thotë “dëshiroj të vete atje”.
Shoku Ramiz Alia: Do ai që të vijë te ne. Ajo është një kërkesë e hapur.
Shoku Enver Hoxha: Prandaj vizita e Dom Mintofit mund të jetë një shkak kërkesash për vizita të tjera. Këtij mund t’i jetë thënë: “Ça ti njëherë se ti nuk ke gjë me Shqipërinë, nuk je as Greqia, as Italia, as Anglia, as hiç”.
Shoku Ramiz Alia: Një ashtu i njohur është Dom Mintofi.

Shoku Enver Hoxha: Ti je Dom Mintofi i Maltës së vogël.
Shoku Ramiz Alia: Ashtu është, drejt, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Tento një herë në mënyrë private. Mund të kesh ndonjë takim edhe me Enver Hoxhën, sa për të hapur rrugën.
E pranuam ne këtë manovër, tak të erdhi tjetri pas tij, e pastaj edhe tjetri e tjetri.
Shoku Ramiz Alia: Do të jetë radha e Papandreut pastaj.

Shoku Enver Hoxha: Ose më parë nga papandreu do të kërkojë Kenan Evreni i Turqisë.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, edhe ai është gati.
Shoku Enver Hoxha: Posi jo, bile “jemi vëllezër, jemi nga një gjak”, mund të thotë ai.
Shoku Ramiz Alia: Ohu, edhe mysliman, bile dhe shqiptar nga origjina. Prandaj pritjen dhe takimin me Dom Mintofin mund t’ia lëmë Reizit.
Shoku Enver Hoxha:  Kam menduar edhe unë për këtë. Takim me mua jo e jo, por as me ty si president, se ai nuk është president.
Shoku Ramiz Alia: Edhe mua kjo me shkoi në mendje. Ai s’është president, prandaj unë thashë për Adilin...

Shoku Enver Hoxha: Meqenëse vjen në mënyrë private, e mirëpresim, sepse po të mos e presim, ata do të bëjnë zhurmë.
Shoku Ramiz Alia: Nuk vete të mos e presim.

Shoku Enver Hoxha: Po s’e pritëm, ata do të thonë ja, kaq të mbyllur janë shqiptarët, sa që edhe kryeministrin e Maltës nuk e pritën. Mos të harrojmë se disa vite përpara ne kemi pritur për vizitë private Merzagorën, ish-president i senatit italian. Ai nuk kërkoi takime, siç po bën Dom Mintofi. Dhe, me sa më duket mua, takimin ky e kërkon me qëllim të caktuar, ndoshta i shtyrë nga anglezët për ndonjë pazarllëk për çështjen e incidentit të Kanalit të Korfuzit. Mund të sugjerojë në emër të tyre një dëmshpërblim prej një milion stërlinash ose më pak, ashtu siç e kanë zakon anglezët.

Shoku Ramiz Alia: Qoftë edhe një stërlinë, veç të plotësojnë kërkesën e tyre.
Shoku Enver Hoxha: Natyrisht, ne do t’u përgjigjemi “hiç”, asnjë stërlinë.
Veç, megjithatë atij duhet t’i themi se ardhja juaj në Shqipëri në formë private, për një ditë, do të jetë e mirëpritur dhe ku të dëshironi në portin e Sarandës a në portin e Durrësit. Do t’ju presë dhe do të bëjë një bisedë me ju ministri i Jashtëm i RPSSH. Por, për arsye të zënies me punë ose një gjë tjetër, kërkesa juaj që bëni për takim me shokun Enver nuk mund të plotësohet. E kam fjalën këtu që edhe atij t’ia themi këto arsye.

Shoku Ramiz Alia: A t’ia themi atë që shoku Enver nuk ka mundësi t’ju presë?
Shoku Enver Hoxha: Po. A duhet thënë ajo apo nuk duhet thënë dhe si duhet thënë, ta gjykojmë.
Shoku Ramiz Alia: Apo ta lëmë fare në heshtje?
Shoku Enver Hoxha: Ose dhe e lëmë në heshtje.
Dëshira jote ore mik është, po unë s’jam i detyruar të të pres.

Shoku Ramiz Alia: Posi dëshira jote është të vish dhe ne jemi dakord të vish, të mirëpresim, të rekomandojmë këtë ose atë port që dëshironi ju dhe ne e bëjmë fakt të kryer nga ana jonë me këtë rast, se do të keni mundësi të shkëmbeni mendime, nëse dëshironi, me ministrin e Punëve të Jashtme, shokun Reiz Malile. Pa i thënë asgjë tjetër.
Shoku Enver Hoxha: Pa i thënë hiçgjë tjetër. E kupton vetë ai që nuk i japim takim me shokun Enver. Injorojmë faktin që ka kërkuar të takojë Enver Hoxhën.
Shoku Ramiz Alia: Po, mirë, shoku Enver. Po e konsultoj dhe me Reizin, ç’thotë dhe ai.

Shoku Enver Hoxha: Posi. Dhe mundet ambasadori ynë në Romë t’ia thotë këto gjëra me notë verbale ambasadorit të tyre në Romë.
Shoku Ramiz Alia: T’i thotë që këtë njoftim kam nga Tirana dhe...
Shoku Enver Hoxha: Posi, posi. Kështu t’ia bëjmë këtij.

Shoku Ramiz Alia: Po ia them njëherë Reizit si e mendon dhe ai. Dakord.
Shoku Enver Hoxha: Kështu t’ia bëjmë. Mund edhe të mos vijë. Po në një rast të tillë kurrë mos ardhtë.
Shoku Ramiz Alia: Po, po, s’na prish gjë hiç.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit