TIRANË- Milani e Atalanta janë vetëm tre pikë apo një fitore larg kualifikimit për në Champions League sezonin e ardhshëm. Milani në Torino dëfrehet dhe pasi mposhti Juventusin i shënon një mal me gola edhe ekipit “granata”. 7-0 e fitoi Milani ndeshjen e javës së 36-të në transfertë duke turpëruar ekipin vendas. Dy gola shënoi Theo Hernandez , tre herë e tundi rrjetën Ante Rebic dhe nga një herë realizuan edhe Brahim Diaz e Kessie. Kuqezinjve u mjafton fitorja me Cagliarin të dielën dhe janë në Champions.
Atalanta mundi lehtësisht 2-0 Beneventon dhe i mjafton fitorja ndaj Genoas në ndeshjen e parafundit për të “kapur” Championsin. Luis Muriel dhe Pasalic ishin autorët e golave. Pas humbjes shokuese që pësoi ndaj Milanit, Juventusi u rikthye tek fitorja por sërish nuk e ka në dorë fatin e kualifikimit sezonin e ardhshëm në Champions. Bardhezinjtë fillimisht u trembën por më pas e mposhtën Sassuolon 3-1 dhe mbeten një pikë larg Napolit të vendit të katërt. Buffon i priti penallti Berardit dhe më pas shënuan Rabiot dhe Ronaldo për skuadrën e Pirlos. Raspadori ngushtoi epërsinë por Dybala mbylli llogaritë. Për portugezin dhe argjentinasin ishte goli i 100-të me fanellën e Juventusit.
Interi edhe pse kampion i Italisë nuk fal. Zikaltërit mposhtën edhe Romën në “San Siro” me rezultatin 3-1 dhe ngjiten në kuotën e 85 pikëve. Brozovic, Vecino dhe Lukaku shënuan për Interin ndërsa autori i golit për verdhekuqtë ishte Mkhitaryan. Fitoi edhe Lazio që likuidoi Parmën.
Ndërsa në La Liga Atletico Madrid sheh titullin më pranë se kurrë. Skuadra e Simeones mundi 2-1 Real Sociedad dhe ngjitet në kuotën e 80 pikëve ,katër më shumë se Barcelona e pesë më shumë se Reali dy ndeshje nga fundi. Carrasco dhe Correa ishin autorët e golave dhe tashmë titulli është vetëm dy hapa larg./Përgatiti Andi Kapxhiu