Marash Kumbulla është dëshirë e Milanit në Serie A. Mbrojtësi 23-vjeçar prej majit të 2023 nuk ka marrë minuta me Romën për shkak dëmtimi, teksa kërkon një ekip ku të aktivizohet në prag të Euro 2024, duke shpresuar një ftesë nga trajneri Sylvinho.
Veç Veronës apo Torinos, edhe Milani dëshiron shërbimet e Kumbullës. Këtë e bën me dije Paolo Paganini, gazetari i Rai-t në Itali. Përveç një huazimi të mundshëm në këtë fund merkato të janarit, Milani e sheh Kumbullën edhe si një investim për të ardhmen.
Me Kumbullën në "pole", Milani kërkon edhe shërbimet e Merih Demiral, ish-it të Juves dhe Atalantës që për momentin mban veshur fanellën e Al Ahli në Arabinë Saudite.
Me vlerën aktuale 7.5 milionë euro në treg, Kumbulla ka kontratë deri verën e 2025 me Romën, teksa kryeqytetasit paguan 26.5 milionë euro për të në verën e 2021 duke e blerë nga Verona. Me Kombëtaren, Kumbulla ka zhvilluar 18 paraqitje.