Pas dështimit të negociatave për të afruar fantazistin brazilian Rikardo Kaka nga Reali i Madridit, Milani është ngushulluar me transferimin e sulmuesit të Kanës, M’baye Niang. 17 – vjeçari shpërtheu me ekipin e Kanës edicionin e kaluar duke tërhequr vëmendjen e disa ekipeve elitare në Europë. Talenti francez për nga stili i lojës ngjason me ish-sulmuesin e Arsenalit, Tierri Henri duke premtuar për një të ardhme të ndritur në Milano.

Pas kalimit me sukses të testeve mjekësore Niang u shpreh se “ Të luash me Milanin është një ëndërr, e cila bëhet realitet. Tashmë nuk më mbetet gjë tjetër veçse të tregoj vlerat më të mira në fushë”. Ardhja e Niang nuk supozohet se do të mbyllë plotësisht hapësirat që janë krijuar në repartin e sulmit, pas largimit të Zllatan Ibrahimovic në drejtim të PSG dhe Cassanos te Interi. Francezi shikohet më shumë në perspektivë. Prandaj Galiani është gati të firmosë me Bojan Kërkiç, i cili nuk është në planet e trajnerit Zeman për edicionin e ri. Milani ndodhet në një moment mjaft kritik, pasi ka humbur në ndeshjen e para në kampionat përballë Sampdorias në shtëpi. Drejtuesit kuqezinj janë futur fuqishëm në orët e fundit të merkatos për të afruar të paktën edhe dy përforcime.

(d.b/shqiptarja.com)