Sezoni i Milanit po prek fundin. “Djalli” që e nisi me pritshmëri të larta në Seria A dhe Champions, të dielën pësoi humbjen e tretë radhazi në kampionat, duke zbritur në vendin e 9 në renditje. Këtë herë ishte Lazio që e mposhti në San Siro 1-2, falë një goli që erdhi me penallti në minutën e 98 nga Pedro. Më herët Pavlovic kishte lënë ekipin me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq, por gjithsesi paraqitja ishte edhe njëherë poshtë pritshmërive.

Më zhgënjyese situatën e bënë edhe disa episode të tjera. Për herë të parë këtë sezon, tifozët ultras të Milanit u futën 15 minuta pasi kishte filluar ndeshja në stadium. Kjo në formë proteste, ndërsa nuk mungonin as pankartat për largimin e drejtuesve. Si të mos mjaftonin këto detaje, më të rëndë situatën e bën uniforma që Milani kishte zgjedhur për këtë përballje. Dikur kuqezi, tani ngjajnë më shumë si Portugalia e përzier me pak Belgjikë. Nga ana tjetër, Lazio më ketë fitore, i bën presion Juventusit, duke u ngjitur të paktën përkohësisht në vendin e 4.

Shumë ndryshe qëndron situata për Romën, që me ardhjen e Ranierit duket e rilindur. Verdhekuqtë të dielën siguruan fitoren e 4 radhazi në Seria A, teksa mposhtën me përmbysje 2-1 Comon. Skuadra e Fabregas realizoi e para me Da Cunhan, ndërsa në pjesën e dytë Roma barazoi përkohësisht me Salemakers para se Dovbyk të realizonte për 3 pikët. Falë këtij suksesi verdhekuqtë parakaluan Milanin në renditje dhe u afruan ndjeshëm me Kupat e Evropës.