ITALI, Bormio - Skiatori i Shqipërisë, Denni Xhepa, e ka mbyllur në vendin e 34-t edhe garimin e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026', këtë herë në disiplinën e Slalomit Gjigant në Skitë Alpine. Sot në pistën e Stelvios në Bromio, 22-vjeçari Xhepa i mbylli dy provat me kohën totale 2 minuta, 35 sekonda e 91 të qindtat; ose thënë ndryshe 10.91 sekonda pas kampionit që shkroi historinë për Brazilin, Lucas Braathen Pinheiro.

Provën e parë Xhepa e mbylli në vendin e 36-të me kohën 1 minutë 20 sekonda e 57 të qindtat, duke marrë të drejtën për në lëshimin e dytë. Këtë të fundit 22-vjeçari e mbylli në vendin e 34-t me kohën 1 minutë 15 sekonda e 34 të qindtat, për totalin që e pozicionoi në vendin e 34-t nga 73 skiatorët më të mirë të botës që konkurruan deri në fund. Xhepa do mbyllë përvojën e tij në këto Lojëra më 16 shkurt në disiplinën e Slalomit.

Kjo e sotmja ishte gara e dytë e Denni Xhepës në këtë Olimpiadë, pasi më 11 shkurt ai konkurroi në disiplinën e Super Gjigantit duke u renditur po në vendin e 34-t nga 42 garues.

Lucas Braathen Pinheiro shkruan historinë

Medalja e artë historike në këtë garë u fitua nga Lucas Braathen Pinheiro i Brazilit, me këtë të fundit që i jep vendit të origjinës së mamasë së tij medaljen e parë (qëlloi edhe e artë) në Olimpiadat Dimërore. Deri më sot asnjë nga shtetet e Amerikës Latine nuk kishte një medalje në Lojërat Dimërore. I lindur në Norvegji, ai u shkëput nga vendi nordik pasi nuk ndjeu mbështetje dhe Brazili i dha gjthçka që i duhej për të bërë historinë në një ditë që do mbahet mend prej tij dhe vendit që përfaqëson.

Lucas Braathen Pinheiro e mbylli garën me kohën 2 minuta e 25 sekonda, duke lënë pas dy favoritët e Zvicrës, Marco Odermatt dhe Loic Meillard (medalje argjendi dhe bronzi).

Lara Colturi dhe Semire Dauti përfaqësojnë nesër Shqipërinë

Të dielën më 15 shkurt do të debutojnë në 'Milano Cortina' edhe Lara Colturi e Semire Dauti në Slalomin Gjigant për femra.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.

Kalendari i plotë i garave të sportistëve shqiptarë në 'Milano Cortina 2026':

Më 11 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në garën e Super Gjigantit që filloi në orën 11:30 në Bormio.

Më 14 shkurt: Denni Xhepa mori pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigant që filloi në orën 10:00 në Bormio.

Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.

Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.

Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10:00 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.