Një dritë në fund të dimrit tregon rrugën. Pishtari Olimpik këtë mëngjes do të çohet herët, ashtu si qytetarët e Milanos. Pas nisjes nga “Sesto San Giovanni”, me shpejtësi do të kalojë një pjesë të provincës: Cologno, Vimodrone, Segrate, Pioltello, San Donato. Pastaj në qytet: Wagner, Tre Torri, Sant’Ambrogio, Policlinico, Porta Venezia dhe kur të mbërrijë në Duomo, do të jetë mbrëmje.

Flaka qarkullon nëpër Itali prej muajsh dhe sot është dita e fundit e udhëtimit. Milano do të ndizet me zjarrin olimpik dhe do të përgatitet për ceremoninë e së premtes (20:00) të Lojërave Olimpike Dimërore.

Shqipëria përfaqësohet në Olimpiadën Dimërore me 4 sportistë, 4 skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.

Kush do ta mbajë pishtarin? Pas të çuditshmit Snoop Dogg, sot do të mbajnë krahun lart trajneri i Interit, Cristian Chivu, presidenti i CONI-t Luciano Buonfiglio, Flavia Pennetta dhe Francesca Schiavone do të vrapojnë bashkë, miti i snowboard Shaun White, Alberto Cova. Jashtë sportit? Carlo Cracco dhe Mahmood.

Nesër, para ceremonisë hapëse, e parashikuar për në orën 20:00, flaka do të jetë në qytet, do të bëjë një xhiro në Santagiulia, në arenën e hokejit në akull dhe do ta përfundojë udhëtimin në Darsena, mbi ujë, me Antonio Rossi që do të kujdeset për zjarrin. Do të jetë e gjatë kjo e premte, pishtari do të kalojë dorë më dorë, nga Zlatan Ibrahimovic te Federica Pellegrini dhe skiatorja franceze Tessa Worley.

Janë orët që qyteti do të kuptojë se Olimpiada është aty, ka mbërritur. Janë 170 persona që do të mbajnë pishtarin sot dhe do të mbrohen nga një shërbim sigurie shumë i rëndësishëm. “San Siro”, i mësuar me gjithçka prej një shekulli, nesër do të jetë protagonist absolut me ceremoninë e hapjes. Të premten dy do të jenë vendet kyçe: stadiumi dhe Arco della Pace, ku do të ndizet pishtari i madh, i frymëzuar nga Leonardo. Marco Balich, drejtori artistik i ceremonisë inauguruese, ka thënë se priten të paktën 50 mijë persona.

Ndezja e pishtarit të madh, që do t’i besohet Alberto Tombas, do të jetë momenti kulmor i ceremonisë së hapjes, mes Milano, Cortina, Livigno e Predazzo. Katër ceremoni në një. “San Siro” do të presë një spektakël të jashtëzakonshëm, i bazuar në kulturën italiane: Verdi, Puçini, Leopardi…

Mariah Carey do të këndojë “Nel blu, dipinto di blu”, Laura Pausini do të këndojë himnin italian, Franco Baresi dhe Beppe Bergomi do të kthehen në stadiumin e tyre. Do të jenë 6 “të kaltër” të volejbollit kampionë bote: Giannelli, Anzani, Porro, Danesi, Egonu, Cambi.

Do të parakalojnë 5000 sportistë, vullnetarët do të jenë 2000 dhe tema qëndrore do të jetë harmonia. Do të jenë të pranishëm edhe Bocelli, Ghali, mexosopranoja Cecilia Bartoli, pianisti kinez Lang Lang dhe aktorët Sabrina Impacciatore, Pierfrancesco Favino, Matilda De Angelis.

“Duam të përhapim një imazh të ri të Italisë, pa cinizmin apo nostalgjinë”, ka thënë Balich. Edhe presidenti Mattarella, i cili sot do të bëjë një vizitë në Fshatin Olimpik, është nga italianët e parë. Në ceremoni do të ketë një rol të veçantë, një moment si protagonist, që do të zbulohet mbrëmjen e së premtes.