TIRANE- Një pjesë e mirë e borxhit të spitaleve që kap shifrën e 4 miliard lekëvë, është përdorur për të blerë pajisje dhe aparatura spitalore të cilat nuk janë vënë në punë, ose janë përdorur për të rregulluar aparatura në rrethe te ndryshme. Megjithatë shifra e lartë e borxhit ka lënë shumë aparatura  spitalore jashtë funksionit për shkak të kostos së lartë të riparimit. Në spitalet e Shkodrës ka  probleme me dy mamografi të cilat nuk punojnë për arsye të defekteve që kanë aparaturat. Me aparaturat ka defekte në butonat e saj, të cilët janë konsumuar dhe janë futur në brendësi, dhe njëkohësisht kanë prishur sistemin e drejtimit të aparatit. Pasojat e kësaj i vuajnë  gratë nga veriu i vendit, të cilat tashmë detyrohen që për ekzaminimin ndaj kancerit të gjirit t’i drejtohen qendrave spitalore në Tiranë.

Po ashtu, një rast tjetër i qytetit të Shkodrës është edhe ai i Rezonancës Manjetike që vlerën e tregut e ka një milion euro e cila kur u soll në vendin tonë nuk u mendua për kushtet e temperaturës që i duheshin pajisjes, ndaj mbeti në magazinë pa u përdorur. Prblematikë prej kohësh ka qenë edhe  rasti i skanerit në Durrës, ku për muaj me radhë ka mbetur jashtë funksionit, duke përbërë një problem tepër të rëndë tek pacientët. Gjithashtu mamografia në Spitalin e Kukësit është me pjesë mangut dhe ka mbetur stok.  Një ndër problemet më shqetësuese mbetet ai i keqfunksionimit të spitaleve në rrethe, ku pacientët edhe për trajtimet më të lehta dynden drejt kryeqytetit, duke shkaktuar radhë, kaos, dhe dëme si pasojë e daljes jashtë funksionit të aparaturave, të cilat kryejnë më shumë ekzaminime se sa normat e përcaktuara. Mosfunksionimi i aparaturave mjekësore nuk është gjë e re, as nuk ndodh vetëm në një spital.

I njëjti problem është vënë re edhe në Pavijonin e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare në vend. Në këtë rast, nuk është faji i aparaturës, por i materialeve që duhen për të vënë në punë atë. Bëhet fjalë për shërbimin e koronarografisë, analiza e vetme që tregon problemet në zemër, e cila prej më shumë se një muaji nuk zhvillohet për shkak të mungesës së materialeve mjekësore të nevojshme për të bërë analizën. Së fundmi, listës së gjatë i është shtuar edhe spitali i Fierit ku qytetarët detyrohen të udhëtojnë çdo ditë drejt Tiranës për të kryer një sasi analizash specifike  të gjakut që lidhen kryesisht me përcaktimin hormonal, hemoglobinën.  Aparatura në fjalë  është dëmtuar dhe riparimi i saj është tepër i kushtueshëm. Pas rikthimit të pamjes, drejtuesit e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” dhe qeverinë gjithashtu, i pret sfida më e madhe, ajo e përmirësimit të shërbimit në spital, dhënies fund të mungesave të ilaçeve dhe luftës ndaj mitmarrjes.

 Rreth 44 milionë dollarë është borxhi i trashëguar nga Qeveria e mëparshme për shëndetësinë. Pjesa më e madhe e këtij borxhi i takon Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku një sasi e madhe lekësh nuk janë paguar ndaj bizneseve që kanë shitur barnat, apo edhe pajisje të tjera mjekësore. Janë rreth 199 milion dollarë barna të papaguar ndër vite, janë rreth 16 milion dollarë mallra dhe shërbime ndër vite që i shërbejnë QSUT-së, dhe janë ende të papaguara. Këtë problem e ka vënë në dukje edhe vetë Ministri i Shëndetësisë me anë të deklaratave të ndryshme, ku ka  reaguar  ndaj problemit të mos funksionimit të disa pajisjeve kryesore në QSUT, por edhe në spitale të tjera të vendit. Në  spitalet shqiptare ka 9 milionë euro aparatura jashtë përdorimit ose që nuk janë në funksionim. 
6 milionë ka QSUT, ndërsa 3 milionë euro të tjera janë në spitalet e rretheve. Aparatura mijëra euro-she nuk janë në gjendje pune,ose nuk funksionojnë për mungesë pjesësh.

 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)