Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, aktualisht kryetar i Partisë Demokracia Sociale i ftuar në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo" mbrëmjen e sotme komentoi aktualitetin politik, debatin për ndarjen e Kosovës, por edhe atë që po ndodh në Jug të vendit me pronat, teksa edhe Greqia lëshoi një kërcënim se mund të bllokonte negociatat nëse çështja nuk zgjidhet. Milo u shpreh se edhe në javët në vijim nuk shikon zgjidhje të krizës politike, ndërsa shtoi se çfarëdo që të ndodhë PDS-ja do të marrë pjesë në zgjedhje, në koalicion me PS-në.
"Të gjithë presin se sot ose nesër do të ndodhë mrekullia, por krizat politike kanë ecurinë e tyre dhe kjo po përsëritet dhe aktorët politikë shqiptarë, pa arritur kulmin kriza nuk do të ulen. Për 2-3 javë të tjera palët do të ruajnë këto pozita ekstreme. Ne do të shkojmë në zgjedhjet e 30 qershorit edhe nëse ka bojkot nga palët. Në 90% kemi përzgjedhur kandidatët. Duhet një reformë e thellë, duhet ndryshuar sistemi politik. Basha nuk është fajtor pse ndryshoi sistemi, pasi e ndryshoi Berisha në bashkëpunim me Ramën. Unë jam përfaqësues i së majtës europiane dhe nga një pikëpamje programore dhe historiku i aktivitetit tim është se jam i majtë konseguent, shumë më besnik dhe më shumë se kryesocialisti aktual.
Por fakti që i takoj një partie të vogël, kjo ka ndodhur, por nuk jam thyer nga kjo. Por mbetem kritik objektiv i PS-së. Le të më quajnë pak opozitar brenda së majtës shqiptare. Partia Demokracia Sociale nuk ka qenë pjesë e koalicionit me PS-në. Por në koalicion me PS-në ne shkojmë në zgjedhje se kështu është sistemi dhe na detyron. Negociata me PS-në deri tani nuk ka. Nuk do të konkurrojmë për kryetar bashkie, por për këshilltarët. Duhet të bëhen zgjedhjet lokale, më pas të bëhen ndryshimet në sistem dhe të shkohet në zgjedhjet parlamentare" tha ai.
Përsa i përket debatit për pronat në Himarë, ai tha se në Jug ekziston mafia shtetërore që po zapton trojet. "Si djal i atij vendi do u them mendimin tim. Nga Palasa deri në Qeparo dhe më tej është bërë një spekulim masiv dhe vijon që të bëhet. Atje në mënyrë nga më bastardet mafia e tokave dhe ndërtimit po bën një shkatërrim të natyrës dhe mbi të gjitha grabitet prona në mënyrën më makabre. Me ndihmën e shtetit? Kam frikë se po. Unë nuk kam marrë pronat e mia atje. Unë nuk kam marrë pronat që më ka lënë babai për shkak të ligjit dhe mafies lokale. Banorët atje çuditen se unë një politikan nuk kam marrë pronat e mia, atje është për të vendosur ulërimën. Po ndërtohen masive betoni m'u në rërë. Prandaj edhe kryeministri grek reagoi, pasi atje nuk është bërë regjistrimi i pronave shtetërore, por nga Palasa në Qeparo nuk ka pasur, prandaj u bë edhe ky sherri atje. Shteti kërkon ta marrë dhe t'ua japë oligarkëve, njerëz që janë të lidhur me qeverinë" tha ai. Duke u ndalur në rajon, ish-ministri i Jashtëm u shpreh kundër idesë për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.