Mimika e një fytyre/ Gjon Krajni, komiku i pazakontë shkodran i viteve ’20-‘30

Mimika e një fytyre/ Gjon Krajni, komiku i pazakontë shkodran i viteve ’20-‘30

1.Profili i Gjon Krajnit si komik shquhej edhe në fytyrën rrumbullake si hënë e plotë, edhe në trupin e shëndoshë që i vareshin tulet, edhe në lëvizjet e ngathta. Jo vetëm kaq, por vlerat e tij bazoheshin tek mimika e fytyrës, gjestet origjinale të lëvizjeve të duarve, fjalët spontane, të folurik skenik i pastër, qëndrimi natyral në skenë..., tek dashuria e madhe për teatrin, të cilin qyshi ri e ndoqi me pasion të madh duke marrë pjesë pothuajse ndër të gjitha shoqëritë e grupet teatrore të qytetit të Shkodrës.

2.Në vitin 1906, nxënësit e Shkollës së Fretënve dalin në skenë me vodevilin “Loja e patës” (dy akte, përkthyer e adaptuar nga Gjergj Fishta). Kjo shfaqje u përsërit në vitin 1924. Për të flet “Ora e Maleve” (Nr.7, vjeti 2, dt. 9.02.1924): “Një shfaqje theatrore, në jetën monotone të Shkodrës, asht gjithëmonë një notë e kandëshme varjeteti. Kështu edhe dy farsat që Gjon Krajni me shokë shfaqën në salonin e Kinos, të diellen e kalueme, i pruenë jetës qytetare një ndryshim eargtim të shndoshtë. Interpretimi i tyne, mund të thomi, se kje i pa të meta. Sidomos Gjon Krajni e Matish Prendushi dijtën kaq bukur me e lujtë rrolin e tyne sa me nxjerrë prej sajë të tana ato  efekte artistike qi auktori, me shum mjeshtri, kishte përmbledhë në të. Publiku mbeti aq i kënaqun qi gazi e duartrokitjet e paprashme mblojshin shpesh vijimin e lojës”.

3.Aktori diletant komik Gjon Krajni gëzonte një simpati të veçantë, veçanërisht në moshat e reja. Ndaj dhe rreth tij u mblodhën një grup gjimnazistësh, punëtorë e artizanë, të cilët në vitin 1923 krijuan grupin teatror që u quajt “Gjon Krajni me shokë”. Për më gjerë hedhin dritë kujtimet e aktorit Gjon Karma, i cili thotë: “Po afronin Karnavalet e vitit 1934. Unë bashkë me Injac Ndojën vendosëm “me u veshë karnaval”. Me propozimin e Zef Bushatit ftuam në përbërjen e grupit tonë Gjon Krajnin, i cili kishte shumë dëshirë të kishte një grup të formuar për teatër dhe karnavale. Me ardhjen e Gjonit, grupin tonë e emëruam Grupi “Gjon Krajni”. Gjoni ishte një aktor amator i dëgjuar në atë kohë, që kishte marrë pjesë në një sërë shfaqjesh që jepnin në skenë shoqëritë teatrore. Gjoni na këshilloi që ditën e karnavaleve, përveç bandës muzikore, t’i siguronim edhe disa pjesë të vogla teatrore, të cilat do t’i interpretonim rrugës përmes qytetit mbi një podium që do të shërbente si skenë. Provat, të cilat i bënim pas punës në dyqanin e Gjon Krajnit, bënë që më 14 shkurt 1934 të jepnim shfaqje. Gjon Krajni luajti me shumë humor rolin e shërbëtorit. Ai ishte komik me përvojë të madhe. Nga ai ne të gjithë mësonim natyrshmërinë e rrjedhshmërinë e shprehjes aktoreske, lëvizjet e matura e pa sforcime. Prej këtyre shfaqjeve të suksesshme “Njeriu prej majmuni” (skeç në vargje), “Kujdestari i zanatçive” të Gjon Karmës ; Injac Ndoja krijoi dy pjesë skenike, njëra ishte përshtatje e komedisë dy aktshe “Akshija i grabitur” dhe tjetra farsë me një akt me titull “Ç’dreqi të pruni në Stajka?” Provat gjithnjë i bënim në dyqanin e Gjon Krajnit. Shfaqja u dha me 1 e 2 prill 1934. Dekoret për këtë pjesë na i dha shoqëria “Bogdani”. Për mua kjo ishte shfaqja e parë në skenë, por mjerisht për shokun tonë Gjon Krajni ishte e fundit”. (“Skena dhe ekrani”, 2/1983, shkrimi: “Kur dola për herë të parë në skenë”, Gjon Karma).

4. Duke parë natyrën e tij, rolet i përvetësonte ngadalë, por duke hyrë në brendësi të personazheve. Pjesët që luajti gjatë gjithe jetës së tij të shkurtër qenë të shumta. Po përmendim disa prej tyre: “Bylbyli”, komedi e adaptuar nga Ndoc Vasija, “I ligu për mend”, “Dy gungaçët”, “Mendja e madhe e zeza e të zot”, “Birameli”, “Loja e patës”, “Profesor Llapa” e deri te loja e gazit “Fotografisti” e pantomima “Këpuctari”. Ndërsa për komedinë “Shërbëtori i dy zotnive” të Goldonit (shfaqur më 28 e 29 gusht 1919), përshtatur në shqip nga Hil Mosi, po flasim më gjatë: Njërin prej dy zotërinjve Filip Bajunin e luajti Hil Mosi. Kulmin e suksesit të komedisë e arriti me interpretimin plot humor të komikut Gjon Krajni, që luante rolin e shërbëtorit Tafrruk. Ai bëri kaq bujë sa gazetat e kohës shkruanin për të: “Po të ishte Gjon Krajni ndër ato vende ku argëtimet teatrore janë një nevojë, mund të siguronte bukën e përditshme me të”.

5. Gjon Krajnin, amatorin e veçanërisht të teatrit të Shoqërisë “Vllaznia”, i cili luajti në skenë me Zef Hilgegën, Kolë Thaçin, Kolë L. Demën. Luigj Mjedën, Kolë Mirashin, Kolë Margjinin, Matish Prendushin, etj., s’do të mund ta kuptonim pa pjesëmarrjen e tij në Karnavale, që Shkodërlocja i kishte traditë, dhe traditë të bukur. Kështu Ditën e Karnavaleve, Gjoni me shokë vishet si surretër dhe këndojë për problemin në fjalë, për gjatë rrugëve të qytetit..

            .......................................         

Në gjelltore,në gjelltore,

            gjellë ma primo kem’ sallatën,

            që të çilë apetiton boll,

            gjeth, ullinj e mollatarta,

            kastraveca, taratoll,

            si të jenë stinët e motmotit,

            hamë sallata n’ ditë të sodit...

            Mish jahni ose stufa

            me qepë, mollë, ufull, venë,

            kjo gjellë hahet pa ia da

            në myslimanë, ndër të kshtenë,

            mish jahni e stufa hani

            në doni barkun ta zgjani!

            Lakna zimë me mish majale,

            i punoj me shumë kujdes,

            e lema n’kto karanavale

            kjo ta çon po gojën n’vesh,

            hani popull pa ju da

            mish thiu të trashë me lakna, pra.

            Në brodo të zim, oriz, pilaf,

            mescolato bën me tlyen,

            t’bahet barku sa një çarçaf

            edhe ftyrën krejt ta frynë,

            pilaf hani e mos pritoni,

            laga, luga, ta mbaroni!

            Tash ma s’mbramit vjen bakllava,

            amëlsinë e mirë sa s’ke,

            kallëp katërsh un’ e dava,

            m’u mbyll sofra me hare...,

            me të pasë henat lezet,

            kosin duhet me pasë njet.

            Oh, sa i mirë, ta dini, asht kosi

            si për t’ ligj ashtu për t’ shndoshtë,

            thotë doktor Mandanozi

            gjellën ta u lkrejt teposhtë,

            kjo ne na duhet me doemos,

            në çdo stinë ju hani kos..!

* Shpesh Gjonit i qëllonte, nësa tek pinte një gotë, në tavolinën tjetër ndokush bënte zhurmë e shamatë me shokun e tij. Gjoni nuk duronte, linte gotën përgjysmë, paguante dhe dilte me hap të shpejtuar. Gjithashtu qëllonte në këtë rrëmujë, ndonjë klient dilte edhe pa paguar. Një ditë Gjoni iu drejtua njërit prej këtij soji:

            - Po ndigjo, mor bacalok,

            me të xanë n’mejhanë bulluri,

            gotën len, del në patalok,

            se k’shtu t’pshton pa dhanë kusuri,

            që ke mbetun ti për meze,

            mandej fshehu kund ndër teze...

Gjoni e kishte zakon të çonte nga një gotë raki, para se të dilte për të mbledhur taksat e Bashkisë. Dikush, në një pijetore, e ngacmoi duke i thënë se po binte në kurriz të popullit. Gjoni nuk priti, por ia ktheu qesh e ngjesh:

            Njeni dreq e përzen tjetrin,

            ka pasë thanë një burrë i huej,

            takso Palin, takso Pjetrin,

            populli mbeti me bythë n’ujë...

            Më thërrasin Gjoni taksidarë

            me tefterë nën sqetull varë...  

6. Veprimtaria teatrore: Grupi “Gjon Krajni”

- “Loja e Patës”, vodevil në 2 akte, Gjergj Fishta (përkthim), 09,11.02. 1924; interpretoi: Gjon Krajni.

- “Bylbyli”, komedi në 2 akte, regjisor: Gjush Sheldia, 25. 12. 1925.

- “Gjin Bue Shpata (dramë në 5 akte), Filip Fishta, Gjush Sheldia, u shfaq 01.09.1923, 02.09. 1923, 03.09. 1923; interpretuan: Gjush Sheldia, Matish Prendushi, Lec Ndreka, Lec Suma, Zef Serreqi, Zef Koçobashi, Angjelin Leka, Shuk Tusha, Kel Ndoja, Kel Guli, Kolë Kaçulini, Gjon Krajni. U shfaq edhe më 1943, interpretuan: Tom Leci, Simon Gjoni, Paulin Sekuj, Mark Prendi, Lec Sekuj, Angjelin Ashiku.

- «Shkuesi me rrena », « I ngutëshmi zemërbardhë », lojëra gazi, Loro Ashiku, u shfaqën, më 09 e ll.02.1924 ; interpretuan: Matish Prendushi, Lush Radoja, Gjush Sheldia, Gjon Krajni, Lec Suma, Lec Ndreka.

-“Mendja e madhe e zeza të zot”, “I ligu për mend” i Molierit, “Birameli”, “Profesor Llapa”, “Shërbëtori i dy zotnijve” e Goldonit, përshtatur nga Hil Mosi, etj.

-Në shkrime të botuara më vonë, për këtë grup artistik është përmendur se shfaqi edhe “Njeriu prej majmuni”, “Kujdestari i zanatçinjve, “Akshija i grabitun” dhe “Ç’dreqin të pruni në Stajka”, përshtatur nga Injac Ndoja.

7. Sipas studiuesit Jakup Mato...

*... Më 28 e 29 qershor 1919, dega teatrore shfaqi komedinë e Goldonit, “Shërbëtori i dy zotnive”, përkthyer dhe përshtatur për publikun shqiptar nga Hilë Mosi. ... Por një sukses të veçantë shënoi  edhe aktori i talentuar Gjon Krajni, i cili luajti rolin e Tafrukut. Ky ishte një amator me dhunti të spikatura për lojën e figurave komike, prandaj shpesh për të do të flitet dhe do të përmendët si një aktor i shquar komik. Në shkrimin e lartpërmendur (Nr. 2 revista “Agimi”), ku shqyrtohen vlerat e kësaj shfaqjeje, për këtë aktor thuhet: “Na Gjon Krajnin e njohim kah ditë, ndër vepra theatrore, prandaj gjithkush pat rasë edhe ksi shtegut, me pa, se pjesën e vet, si shërbëtor i dy zotnive, e bani me nji mëndyrë aq të bukur, sa me mujtë me thanë se po t’ishte Gjon Krajni ndër vende të përjashtme... ai me ato lojna kishte me mujtë me i sigurue vedit një jetesë të mirë fort.”

* Në prill të viti 1923 në gazetën “Ora e maleve” u botua një artikull që shtronte një problem të rëndësishëmdhe që lidhej me një ngjarje të trishtueshme e të vështirë për Shoqërinë “Bogdani”. Artikulli titullohej “A ka cenzurë apo s’ka?” Në të bëhej fjalë për shfaqjen e Shoqërisë artistike “Bogdani” ‘I padituni për gjaksi”, një përshtatje e një drame të huaj, punuar prej Kolë Demës, por artikullshkruesi ndalej veçanërisht në disa probleme të farsës “Mësuesi modern”, përshtatur nga Z.M. Harapi. Në këtë kohë u bë fjalë shumë për censurë. Pas premierës, që u dha më 2 prill, grupi teatror nuk u lejua ta jepte herë të tjera shfaqjen, për shkak të përmbajtjes së papranueshme të farsës, por edhe me pretekstin se për dramën s’ishte marrë leje prej autoriteteve zyrtare.  ... Në gjyq u thirrën 17 aktorët. Midis aktorëve amatorë të akuzuar ishin Ndoc Prendushi, Cin Çapeli, Ndrekë Shkreli, Gjon Krajni, Kolë Shiroka, Zef M. Harapi etj.

* Duke vlerësuar aktorët e këtij grupi teatror, studiuesi T. Zadeja vë në dukje: se përveç aktorëve që më vonë u bënë veçanërisht  shumë të njohur, si L. Kovaçi, P. Gjoka, “popullaritet të madh fituan gjithashtu komiku Zef Hil Gega, përfaqësues tipik i humorit klasik shkodran, aktorët Luigj Mjeda dhe Kolë Mirashi (Shiroka), i pari në rolet protogoniste kurse i dyti në rolet antagoniste” ... Disa prej aktorëve të kësaj trupe qysh në vitet ’20 u bënë të shquar e të dashur për publikun. Nga aktorët e kësaj Shoqërie, u shquan për talentin dhe veprimtarinë e gjallë skenike, jo vetëm aktorët e përmendur më lart, por edhe komiku Gjon Krajni, një talent i rrallë,...

*Teatri “Shkodra” vuri në skenë pjesën “Robi i Shën Domingut”, e cila u luajt edhe në kalanë “Rozafat” të Shkodrës, me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në këtë kështjellë.  ... Këtë grup teatror e ndihmonte edhe komiku i shquar i asaj kohe Gjon Krajni.

* Në shfaqjen e kësaj pjese (“Nata e shtojzovalleve”, 28.11.1924, përkthyer e përshtatur nga A. Skanjeti - nënvizim im) morën pjesë amatorë të talentuar, si Ndoc Bazhdari, Ndoc Mëshkalla, Gjon Krajni, Ndoc Temali...Fq. 236

 Disa koncerte muzikore të saj, madje, edhe shfaqje teatrore, u kryen në bashkëpunim edhe me nxënësit e Kolegjit Saverian. Ndër veprimtaritë e para artistike që organizoi Shoqata “Leka” ishte koncerti letrar e muzikor i dhënë me rastin e Këshëndellave, më 26 dhjetor të vitit 1929.    ... Fq. 237  Me këtë rast u shfaq edhe farsa një aktëshe “Lejleku në Shkodër”, ku morën pjesë amatorët Gjush Sheldija, Gjon Kraja, Kel Guli, Balto Curani, Lec Ndreka dhe aktori i talentuar Gjon Krajni. ... Fq. 237 Më 18 janar 1931 grupi teatror shfaqi komedinë “magjistari prej grykësie” dhe farsën “Shkuesi me rrena”. Edhe në këtë shfaqje u shquan për lojën e tyre aktorët Ndoc Mëshkalla, Lec Ndreka, dhe Gjon krajni. Kjo shfaqje u dha pas një konference, që mbajti E. Koliqi me temë: “Misioni i letrarëve të rinj”.

Më 12 shkurt 1931 Shoqata “Leka” organizoi një shfaqje teatrore me disa pjesë të shkurtra gazmore, disa prej të cilave të shoqëruara me muzikë. U shfaqën: “Kthimi prej Amerike”, “Nji familje gungaçash”, “Dita e emnit”, “Kont kaciku”. (Dy pjesët e fundit shoqëroheshin me muzikë; në lajmin që u dha për këtë shfaqje, thuhej se “ato ishin përzie me këngë”), prandaj ndoshta ishin kuplete.  ... Për lojë të bukur përmendeshin edhe aktorë të tjerë, si Lec Ndreka, Ndoc Mëshkalla, Lush Radoja, Gjon Krajni.

(Shënime të nxjerra nga libri “Rrjedhave të artit paraprofesionist,  botim Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e studimit të Arteve, Tiranë, 2004); (f. 64, 65, 103, 104, 131, 202, 208,

8. Për një periudhë kohe Gjoni punoi shegert në dyqanin e një tregtari që shiste materiale ndërtimi. Më pas doli më vete, shiste e vinte xhama dyqaneve, shtëpive, institucioneve, kudo ku e thërrisnin. Por, më 27 qershor 1934, u rrëzua nga lartësia e një binaje (ish Spitali civil), ndërsa po vinte xhama.

 “Vdekja e komikut Gjon Krajni tronditi Shkodrën dhe grupi ynë u shkatërrua, mbasi asnjë prej nesh s’mund ta zëvëndësonte,”- shkruan përsëri në kujtimet e tij, Artisti i Merituar, Gjon Karma.

            Shkodër, gusht 2018

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025