BULQIZE- Të 100 minatorët e zonës D në Bulqizë protestuan sot për rreth një orë pasi firma “Turalb” kontraktuese nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet që kanë ranë dakord mes palëve pak muaj më parë, kur minatorët ndërprenë punën në galeri.

Ata thonë se “Firma nuk njeh raportet shëndetësore në rast aksidenti”.

Protesta ishte paralajmëruar më parë nga minatorët ndërsa deklarojnë se do të përshkallëzojnë protestat deri në grevë urie, në mbrojtje të kërkesave të tyre legjitime.

Minatorët kërkojnë investime në galeri, përmirësim të kushteve të punës, sigurimet shoqërore dhe njohen e raporteve shëndetësore në rast aksidentesh në ambientet e punës.

Pak ditë më parë kreu i sindikatave të zonës D në minierën e Bulqizës, Agron Basha tha se ishin ë shtuar edhe 28 minatorë të tjerë nga vetë firma turke, por as këto të fundit nuk ishin paguar me pretekstin se nuk kanë numër llogarie në bankë.

(sg/shqiptarja.com)