Brenda një viti, ministria e Energjisë dhe Industrisë pas monitorimit të rreptë për lejet e dhëna në sektorin minerar, ka revokuar mbi 160 leje minerare, ndërsa subjektet minerare kanë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj organeve shtetërore.

Burime të MEI-t thanë për ATSH-në se në rajonin e Bulqizës, në zbatim të Marrëveshjes Koncesionare dhe nxitjen e punës për realizimin e investimeve pas vendosjes së detyrimeve, është hapur pusi nr. 9, ku investimet kapin vlerën mbi 20 milion USD.

Me këtë ndërhyrje, sigurohet jetëgjatësia e minierës për rreth 20 vjet të tjera, ndërsa do të rritet prodhimi i kromit dhe punësimi, thanë burimet.

Puna ka nisur dhe në travernbankun e Klosit me investim rreth 5 milion USD, ka nisur puna për të vënë në prodhim fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë me kapacitet përpunues mbi 240 000 ton/vit mineral kromi, impianti i seleksionimit të kromit, i mbyllur prej 20 vitesh. Nga puna ka nisur edhe Uzina në Burrel me kapacitet mbi 10. 000 ton/vit mineral kromi, me të cilat së bashku, industria e kromit me zinxhirin përpunues rifutet në ciklin e mbyllur të prodhimit.

Edhe në industrinë e bakrit ka hyrë së fundi kompania më e madhe në Kinë dhe e dyta në botë "Jiangxi Koper", që po kryhen investime për të rritur prodhimin e bakrit në zonat veriore të vendit.

ATSH