Bakri konsiderohet si metali i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas kromit, edhe pse vitet e fundit industria e tij është goditur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por edhe problemet e brendshme. Sipas të dhënave zyrtare, katër vitet e fundit eksportet shqiptare të bakrit janë luhatur nga 30 deri në 40 milionë dollarë në vit, pjesa dërrmuese e të cilave - mbi 87 për qind - i përket prodhimit të Munellës.
Kalimi i këtyre rezervave në administrim të kinezëve shton shpresat për një rigjallërim të industrisë së bakrit në Shqipëri. “Jiang Xi”, e cila zotërohet nga qeveria kineze, renditet kompania e dytë në botë për prodhimin e bakrit. Vitin e kaluar kompania u klasifikua nga “Fortune Global” në pozicionin e 414-t mes 500 kompanive më të mëdha në botë për nga vlera e tregut, me një xhiro vjetore prej 28 miliardë dollarësh, ose sa dy herë Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)