TIRANE - Qeveria Berisha lejoi vitet e mëparshme një skandal të madh. Një proces privatizimi u shoqërua me një garanci false prej 85 milionë eurosh, por askush nuk përgjigjet dhe pushohet çështja nga Prokuroria. Në emisionin Top Story, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se situata të tilla nuk do të përsëriten më. Nga ana tjetër, sipas tij, shkaktar për krizën në energjetikë ka qenë edhe fakti që Enti Rregullator i Energjisë më parë ka funksionuar me urdhrat e kryeministrit. “Maskarada me CEZ-in erdhi si shkak i marrëdhënieve interesante që vetë shteti krijoi me shoqërinë, ku herë toleronte njëra, e herë tjetri, për interesa politike dhe financiare të caktuara. Ulja e çmimit të prodhimit në mënyrë arbitrare, vetëm për të favorizuar çekët, e bërë me urdhër nga kryeministri Berisha, ka qenë një nga kontribuesit e problemeve në sektor”, u shpreh ai.

Gjiknuri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të rregulluar gjendjen në sektorin problematik të energjisë. Vendimet e para që ka marrë kjo qeveri kanë qenë anulimi i 13 kontratave koncesionare, të dhëna në një periudhë, në të cilën normalisht qeveria duhet vetëm të mbikëqyrte punët e shtetit, pasi po linte pushtetin dhe jo të krijonte pasoja financiare për sektorin.

Vendim prapë i rëndësishëm ishte çuarja përpara e interkonjeksionit me Kosovën, që Sali Berisha, nuk e di për çfarë qëllimesh, e sabotoi, mbase edhe për interesa përtej interesave shqiptare. “Sabotoi një lidhje mes Shqipërisë dhe Kosovës, që unë do ta cilësoja autostradë energjetike, do t’i shërbejë harmonizimit të sektorit energjetik të të dyja vendeve”.

Vendim tjetër i rëndësishëm, sipas Gjiknurit, ka qenë kontrolli që është bërë në minierat e Bulqizës, përshirë edhe pezullimin që është bërë për koncesionarin, pasi kishin kaluar shumë vjet dhe pusi i Bulqizës nuk hapej. Koncesionari për herë të parë u detyrua të zbatojë një gjë që ka 10 vjet që flitet: zbulimi i rezervave të reja të kromit në Shqipëri.

Përndryshe miniera për dy vjet do të vdiste, nuk do të kishte më krom. “Hoqëm mbi 120 leje minerare për arsyen shumë të thjeshtë, zbuluam se shtetit nuk po i paguheshin detyrimet. Pra, firmat minerare vazhdonin punë dhe nuk paguanin as pagesë rehabilitimi, as pagesa të tjera, pra punonin praktikisht në të zezë. Ky është një proces që do të marrë kohë, siç po bëhet edhe me HEC-et. Unë kam bërë gati një grup tjetër anulimi HEC-esh, që edhe ato kanë ngelur vetëm në letër. Le t’u jepet mundësia të tjerëve të investojnë në atë sektor”, tha ministri.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)