TIRANE - Demokratët duken të çliruar nga largimi i LSI nga koalicioni qeverisës dhe këtë e pohojnë që nga elektorati në bazë e deri tek ministrat. Kështu, interesimit të gazetës sonë, në lidhje me faktin nëse PD me ikjen e LSI nga koalicioni qeverisës e ndjen veten më të lirë e më të çliruar në shpjegimin e alternativës së djathtë ministri i Inovacionit, njëherësh dhe anëtar i kryesisë së PD Genc Pollo thotë “Po si jo”.

Që nga Berati ku gjendet në takime me elektoratin sipas urdhrit të Berishës dhënë dy ditë më parë për të promovuar qeverinë e re, por dhe për të shpjeguar në bazë se këtë fushatë do e bëjnë pa LSI, Pollo ka pranuar çlirimin nga largimi i LSI, madje duke përcjellë dhe mendimin e bazë.

Ndërsa deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PD Lajla Pernaska ka nënvizuar: “Sigurisht. Çdo subjekt politik ka profilin e tij programor. Kjo është një faktorët interesantë të pluralizmit. Ne po punojmë intensivisht me votuesit tanë për të bërë dhe një analizë të zbatimit të objektivave të deritanishëm, dhe për shpalosjen e programit të vazhdimësisë së reformave”.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe ish-ministri i Jashtëm, njëherësh deputet i PD Tritan Shehu, teksa ka nënvizuar se PD do të marrë dhe votat e LSI. “Fushata s’ka filluar por si të gjitha partitë, PD po punon me njerëzit dhe për konsolidimin e strukturave. Pra realisht është futur në fushatën zgjedhore për 23 qershorit.

Me punën që po bëhet tregohet se ka gatishmëri dhe vullnet për të kontribuar për fitoren e PD. Kjo fushatë, për nga mënyra se si është pritur e përcjellë te njerëzit apo si transmetohen mesazhet të kujton fushatën plebishitare e fituese të vitit 1992”, tha për gazetën Shehu. Ai ka nënvizuar se PD e ka bazën e fitores te elektorati e asgjë s’ka lëvizur largimi i LSI.

“Dalja e LSI s’ka krijuar panik. PD fitoren e saj e ka bazuar te elektorati dhe puna e saj. Të mos mendojë kush se votat mund të transportohen nga një anë në një anë tjetër siç mund të transportohen dardhat apo mollët me kamionë apo me thasë. Unë jam i bindur që ata që s’votuan më 2009 për PS por për një të majtë tjetër më në qendër siç ishte LSI s’mund t’i transferohen votat mekanikisht në gjirin e LSI.

Sepse pas çdo vote është një njeri, me bindjen e vet, me personalitetin e tij dhe jo një robot. Jam i bindur që shumica e atij elektorati do votojë PD. Kjo dhe për faktin që koalicioni gjatë gjithë periudhës së tij ishte mjaft luajal, demokratik, funksional dhe veçanërisht kjo nga PD”, tha Shehu. Sipas tij largimi i LSI s’ka krijuar frymë fitoreje te opozita dhe humbjeje te mazhoranca.

“Mendoj që kjo që ndodhi po jep efektin e kundërt të asaj që menduan arkitektët e kësaj lëvizjeje. Dështoi tentativa për grusht shteti institucional, mazhoranca u rikonfirmua. U tentua të kalohet në qeveri teknike, dështoi. Qeveria Berisha mori votëbesimin dhe do qëndrojë deri në fund.

Gjithmonë njerëzit dinë të perceptojnë të drejtët nga ajo që kryhet në mënyrë jo të drejtë dhe njerëzit mbështesin luajalin e atë që respekton rregullat e faktet. Dhe me këtë duhet të kuptoj, PD e Berishën”, tha Shehu. Ai ka vlerësuar se s’ishin deputetët e PS ata që mbajtën në këmbë këtë qeveri, pasi për të ata ikën nga PS dhe votuan, sikurse të tjerët dolën nga koalicioni qeverisës dhe votuan për rrëzimin e qeverisë.

MINISTRI IMAMI: IKJA E LSI, KUNDËRSHTARËT TANË I KEMI PËRBALLË

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami është shprehur në lidhje me largimin e LSI nga koalicioni se e majta nuk ka asnjë shans për të fituar më 23 qershor. “Demokratët e kanë të qartë se tani kemi një betejë që kundërshtarët tanë i kemi përballë dhe jo njërin andej e tjetrin këndej.

Ne luftojmë për të fituar”, tha Imami. Sipas tij, LSI ishte e pa shpresë, sondazhet e nxjerrin në rënie dhe duhej të gjendej një zgjidhje ose të rrinte në koalicion me PD, pavarësisht nga diferencat ideologjike ose të kalonte në opozitë dhe në koalicion me PS.

“PS e pranoi sepse siç duket është e pashpresë në fitore, jo vetëm sepse PD kokë më kokë me të është para, por ka dhe një koalicion më të madh, por natyrisht pa LSI, sepse ne asnjëherë nuk e kemi llogaritur LSI në koalicionin tonë. Nëqoftëse Rama e di që LSI nuk i shton gjë.

Dhe nëse humbet Rama kapërceu një barrikadë të madhe për shkak se akuzat e tij për qeverinë qenë të vazhdueshme, madje dhe 21 janari u organizua për “bllokun” e Ilirit”, tha Imami. Ndërkohë që ka folur dhe për ndryshimet në administratë. “Çfarë janë poste të natyrës politike, do të vendosen drejtorë të rinj.

Një drejtor i ri do të vendosë një drejtor varësie tjetër, do të vendos njeriun e tij. Sot ne kemi edhe militantë të PS që punojnë dhe është normale që punojnë, s’ka një gjueti shtrigash por nuk mund të jesh dhe në opozitë dhe në qeveri, është e kuptueshme”, tha Imami. Për të Rama-Meta s’kanë asnjë shans për të fituar ndaj mazhorancës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)