Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën të enjten për të diskutuar marrëdhëniet me Kievin zyrtar dhe se si do të veprohet në të ardhmen, pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës pengon aspiratat e saj për t'iu bashkuar së shpejti Aleancës më të madhe të sigurisë në botë.
Ministrat kanë planifikuar të marrin pjesë në një mbledhje shtesë në selinë e NATO-s, të njohur si Grupi i Kontaktit në Ukrainë i udhëhequr nga SHBA-ja.
Ky forum frekuentohet në mënyrë rutinore nga aleatët e Ukrainës në një përpjekje për të siguruar burime ushtarake, si armë dhe municione për të ndihmuar Kievin në luftimin e pushtimit rus.
Takimi i NATO-s realizohet një muaj përpara se presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij të mblidhen për një samit në Lituani, në një paraqitje simbolike të mbështetjes për Ukrainën.
Ata pritet të nënvizojnë vendosmërinë e tyre për të vepruar nëse presidenti rus, Vladimir Putin, përpiqet të zgjerojë luftën drejt Perëndimit.
NATO-ja ra dakord në vitin 2008 që Ukraina do t'i bashkohej organizatës një ditë, por nuk caktoi një datë që ajo të fillonte bisedimet e anëtarësimit.
Me fillimin e luftës, Ukraina aplikoi për "aderim të përshpejtuar" në NATO, më 30 shtator. Me gadishullin e Krimesë të aneksuar dhe trupat ruse dhe separatistët pro-Moskës që mbajnë pjesë të jugut dhe lindjes, nuk është e qartë se si do të duken kufijtë e Ukrainës në të ardhmen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk ka konsensus për anëtarësimin e vendit përderisa është në luftë me Rusinë.
"Ne pajtohemi se detyra më urgjente tani është të sigurohemi që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur, sepse nëse Ukraina nuk mbizotëron dhe mund të vazhdojë si një shtet demokratik në Evropë, nuk ka asnjë çështje anëtarësimi për t'u diskutuar", tha ai, përpara takimit.
Stoltenberg tha se ai pret që Aleanca prej 31-vendesh "të bjerë dakord për një program shumëvjeçar ku ne ndihmojmë për të lëvizur Ukrainën në kalimin nga standardet, pajisjet, procedurat, doktrinat e vjetra në standardet e NATO-s, dhe të bëhet plotësisht e ndërveprueshme me NATO-n".
NATO-ja nuk ka prezencë zyrtare në Ukrainë dhe si organizatë ofron vetëm mbështetje jovdekjeprurëse për Kievin, megjithëse aleatët individualisht e furnizojnë me armë dhe municione. REL