Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në Konferencën Rajonale për Lehtësimin e Tregtisë “Fillimi i Partneriteteve Bashkëpununese në Epokën Digjitale”.
Të pranishëm në këtë event ishin dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, Kreu i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Tiranë, Hubert Perr, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, autoriteteve doganore të vendeve të rajonit, dhomave të tregtisë, si dhe institucioneve të tjera shtetërore në vend.
Në fjalën e tij, ministri Mete vlerësoi rëndësinë e konferencës sa i përket forcimit të bashkëpunimit rajonal në drejtim të lehtësimit të tregtisë.
Ministri vuri në dukje faktin se Shqipëria ka bërë përparim sa i përket digjitalizimit të shërbimeve për biznesin, të cilat sa i përket administratës doganore kanë reduktuar ndjeshëm kontaktet fizike me të.
Thjeshtimi dhe modernizimi i qëndrueshëm i shërbimeve ndaj biznesit u evidentua edhe në një raport të fundit të Bankës Botërore, ku rezultoi koha mesatare e çlirimit të mallrave është reduktuar me 26% në Portin e Durrësit, si pikë hyrëse, në zyrat doganore kufitare me 20%, dhe në doganën e brendshme me 74%.
Po ashtu, Ministri Mete solli në vëmendje faktin se Shqipëria është vlerësuar në dy aspekte të rëndësishme në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara mbi Digjitalizimin dhe Lehtësimin e Tregtisë, për tregtinë “pa letra” dhe atë ndërkufitare “pa letra”.
Ministri Mete u shpreh se qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa konkrete edhe në kuadër të angazhimeve të dala nga Procesi i Berlinit.
“Procesi i Berlinit besoj që është një mundësi shumë e mirë për të përmbushur synimet për integrim ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, si një proces që së bashku na çon më afër BE-së por edhe afron praktikat e BE-së me ne. Harmonizimi i procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët besoj ka rëndësi prioritare në këtë drejtim dhe kjo konferencë është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të ndarë vizione dhe ide në këtë drejtim, por edhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi”, u shpreh Ministri.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë tha se dialogu mes qeverisë dhe biznesit është i rëndësishëm sa i përket përshpejtimit të proceseve për lehtësimin e tregtisë.
Fjala e Ministrit Ervin Mete – Konferenca Rajonale mbi Lehtësimin e Tregtisë
Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar Ambasadorë,
Të nderuar të fuar dhe pjesëmarrës,
Së pari të gjithë atyre që kanë ardhur nga rajoni, ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe në Shqipëri. Më vjen mirë që shoh gjithë këtë pjesëmarrje impresionuese, e cila vjen edhe në vazhdën e një sërë takimesh që ne kemi bërë, edhe kohët e fundit, në kuadër të procesit të Berlinit, ku krahas takimit të liderëve janë mbajtur edhe një sërë takimesh të suksesshme në nivel ministror dhe besoj që edhe ky takim vjen në këtë frymë. Besoj edhe tema është shumë e gjetur sepse era digjitale tashmë po prek të gjitha dimensionet, e sigurisht edhe tregtinë dhe lehtësimin e saj.
Të gjitha ekonomitë po përballen me sfidat që sjellin transformimet digjitale, në përpjekje për t’i kthyer ato në avantazhe, për të reduktuar kostot dhe për të rritur produktivitetin.
Të kapërcesh kufijtë sot përmes tregtisë është shumë më e lehtë.
Digjitalizimi po u mundëson bizneseve të rrisin shtrirjen dhe shpejtësinë e tregtisë, dhe kompanitë po përdorin mjete digjitale dhe novatore për të kapërcyer barrierat e rritjes, po adaptojnë modele të reja që lejojnë kryerjen e transaksioneve komplekse, si dhe po përdorin mundësi dhe alternativa të reja financimi.
Kësaj fryme dhe domosdoshmërisë për të hartuar politika dhe strategji të reja besoj i shërben edhe kjo Konferencë Rajonale, ku pjesëmarrja e drejtuesve të nivelit të lartë nga një sërë institucionesh reflekton rëndësinë e saj.
Mes ekonomistëve, ekspertëve apo politikëbërësve gjithnjë e më shumë po diskutohet nëse ka ardhur koha të ndryshojmë rregullat tradicionale të tregtisë. Në një kohë digjitale, kur kufijtë po bëhen të padukshëm, shumë kompani po operojnë në mënyrë fleksibël nga vende të ndryshme dhe kjo e ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e rregullave të veçanta tregtare që duhet të zbatohen për transaksione specifike.
Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara mbi Digjitalizimin dhe Lehtësimin e Tregtisë vlerësoi Shqipërinë në dy aspekte të rëndësishme: tregtinë “pa letra” (paperless trade) dhe atë ndërkufitare (cross border paperless trade), duke e pozicionuar pozitivisht sa i takon “rankimit” për masat që janë marrë dhe zbatimin e tyre. Theksohet se adoptimi i standardeve ndërkombëtare, harmonizimi i kornizave ligjore e teknike nëpërmjet një marrëdhënie më të ngushtë ndërqeveritare dhe bashkëpunimt “pa letra” mbeten thelbësore për krijimin e një ndërveprimi më të madh ndërmjet sistemeve kombëtare.
Në këtë aspekt, qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa konkrete edhe në kuadër të angazhimeve të dala nga Procesi i Berlinit.
Besoj se progresi i arritur në nivel politik përmes heqjes së tarifave doganore mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit dhe mes vetë vendeve të rajonit, nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe CEFTA-s, po plotësohet me masa teknike për heqjen e barrierave jo-tarifore, krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit “One Stop Shop”, njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, si dhe përmes një sistemi të integruar të tranzitit.
Në këtë drejtim, si Ministri e Financave dhe Ekonomisë ne kemi mbështetur idenë e fazës së dytë të projektit të Bankës Botërore për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit. Ky propozim kërkon ndërmarrjen e një sërë masash, si dhe iniciativave të tjera, si Korsitë Blu, Korsitë e Gjelbëra, etj.
Shembulli i ‘One Stop Shop” mes Shqipërisë dhe Kosovës, Malit të Zi dhe nga korriku i vitit 2023 edhe me Maqedoninë e Veriut, besoj janë modele konkrete zbatimi se si është përgjysmuar koha dhe janë ulur kostot për operatorët ekonomikë mes vendeve të rajonit.
Ndaj besoj kjo konferencë është një mundësi e mirë për të angazhuar edhe doganat e tjera të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje të ngjashme me shtetet e tyre fqinje.
Po flasim për tregun e përbashkët evropian, me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm mund të mbijetojnë, por edhe mund të konkurrojnë me ato të 27 vendeve të BE-së dhe me tregun e përbashkët europian.
Sigurisht që mbetet shumë për të bërë, por besoj se potenciali ekziston dhe ai duhet shfrytëzuar.
Dialogu Qeveri - biznes është shumë i rëndësishëm me qëllim përshpejtimin e proceseve për lehtësimin e tregtisë dhe anketimet me biznesin, të realizuara së fundmi, japim vlerësime pozitive dhe inkurajuese në këtë drejtim për të shtyrë më tej proceset transformuese.
Nga ana tjetër, shërbimet e digjitalizuara, së paku në Shqipëri, kanë reduktuar ndjeshëm kontaktet fizike me administratën doganore. 34 shërbime ofrohen sot elektronikisht përmes portalit qeveritar e-Albania dhe po punohet që të vihen në zbatim edhe të 21 shërbimeve të tjera online.
Thjeshtimi dhe modernizimi i qëndrueshëm i shërbimeve ndaj biznesit u evidentua edhe në një raport të fundit të Bankës Botërore, ku rezultoi koha mesatare e çlirimit të mallrave është reduktuar me 26% në Portin e Durrësit, si pikë hyrëse, në zyrat doganore kufitare me 20%, dhe në doganën e brendshme me 74%.
Të nderuar pjesëmarrës,
Procesi i Berlinit besoj që është një mundësi shumë e mirë për të përmbushur synimet për integrim ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, si një proces që së bashku na çon më afër BE-së por edhe afron praktikat e BE-së me ne.
Harmonizimi i procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët besoj ka rëndësi prioritare në këtë drejtim dhe kjo konferencë është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të ndarë vizione dhe ide në këtë drejtim, por edhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe uroj që të shërbejë si e tillë.
Shumë faleminderit dhe shumë suksese!