Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është shprehur se Alpet shqiptare kanë potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale.

Teksa publikoi pamje nga Tamara, Lepusha dhe Vermoshi, Hoxha theksoi rëndësinë e promovimit të bukurive natyrore dhe traditave të këtyre zonave.

Sipas tij, turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe mund të shërbejë si një model zhvillimi të qëndrueshëm për komunitetet lokale.

Ministri përmendi gjithashtu Paketën e Maleve si një nismë që synon të kthejë pasuritë natyrore e kulturore në mundësi të reja zhvillimi.

Hoxha e lidhi këtë proces edhe me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit dhe standardeve evropiane.

Në fund të postimit të tij, ai shkroi: “Në zemër të Alpeve magjepsëse e hijerënda, Shqipëria sheh veten në pasqyrë: e bukur, krenare, mikpritëse dhe plot mundësi. Një vend ku natyra dhe tradita takojnë të ardhmen.”

Reagimi i ministrit Ferit Hoxha:

TamarëLepushë - Vermosh

Aty ku bujaria e natyrës nuk njeh kufij, ku #bukuria është pasuri, ku mikpritja është ligj dhe tradita është identitet.

Aty ku malet, njerëzit dhe historia bashkohen për të treguar një tjetër fytyrë të Shqipërisë: autentike, krenare dhe plot jetë.

Qindra mijëra shqiptarë dhe vizitorë vazhdojnë të shijojnë bukurinë e bregdetit tonë, i cili tashmë ka fituar një vend të rëndësishëm në hartën turistike të Mesdheut. Por Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar. Përtej brigjeve të saj, shtrihen pasuritë e jashtëzakonshme të maleve shqiptare, një thesar natyror që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Turizmi malor është më shumë sesa një mundësi për të zbuluar peizazhe mahnitëse. Ai është një investim në ekonominë lokale, në komunitetet që jetojnë e punojnë në këto zona dhe në një model zhvillimi të qëndrueshëm që ruan, promovon dhe kthen në mundësi vlerat tona më të çmuara natyrore e kulturore. Këtë synon edhe Paketa e Maleve.

Ky transformim lidhet natyrshëm edhe me rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Standardet më të larta, infrastruktura më cilësore, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm krijojnë më shumë mundësi për qytetarët dhe i japin turizmit shqiptar një perspektivë gjithnjë e më evropiane dhe konkurruese.

Në zemër të #Alpeve magjepëse e hijerënda, Shqipëria sheh veten në pasqyrë: e bukur, krenare, mikpritëse dhe plot mundësi. Një vend ku natyra dhe tradita takojnë të ardhmen.