Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Këtë mesazh përcolli ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, në Prishtinë.

Hoxha tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mbështeten në historinë e përbashkët, interesat strategjike dhe synimet euroatlantike, ndërsa theksoi se zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë koordinim edhe më të madh mes dy vendeve.

“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë, të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik.

U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime ministrore apo dhe më lart, siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë çdo vlerësi zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete të cilat kanë impakt për qytetarët. Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Kam ardhur këtu për të transmetuar dhe për të theksuar qartë atë që ka thënë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë” tha Hoxha. 

Nga ana e tij, Glauk Konjufca tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën dhe kërkoi mbështetjen e Tiranës për një afrim më të shpejtë të Prishtinës me Aleancën.

“Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance”, tha Konjufca.

Ai theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme edhe për procesin e integrimit europian të Kosovës, duke kërkuar avancimin drejt marrjes së pyetësorit të Bashkimit Evropian dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

“Shqipëria po e bën progresin e saj final drejt Bashkimit Evopian, por duhet të kërkoj që të kërkojmë së bashku që edhe Kosovës t'i jepet një mundësi e tillë. Për ne është jetike, është marrja e pyësorit nga ana e Bashkimit Evopian si dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evopian. Në një farë mënyre Shqipëria krahas avancimit të vetë gjithmonë do ta ketë, do t'i bie dhe barra që të jetë edhe zëri i Kosovës gjithmonë. Në këtë proces diaspora shqiptare në botë është një aset, është pasuri e jona kombëtare edhe është njëra prej platformave më të rëndësishme të politikës tonë të jashtme. Një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës vazhdon të jetojë jashtë atdheut. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në mbështetje të mërgatës shqiptare kudo nëpër botë. Ne jemi kombi i gjuhës dhe komb i kulturës. Prandaj mbështetja shtetërore për ruajtjen e identitetit është jetike për të ardhmen tonë kombëtare në dekadat që do të vijnë”, deklaroi Konjufca.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin rajonal, diasporën shqiptare, projektet infrastrukturore dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërqeveritar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

"U zotuam po ashtu që bashkëpunimi ndërqeveritar do të intensifikohet në të gjitha drejtimet dhe në të gjithë sektorët. Ekonomitë tona po integrohen gjithnjë e më shumë. Ato gjithnjë më tepër po bëhen si një ekonomi kombëtare. Prandaj vazhdimi i projekteve strategjike siç është ndërtimi i hekurudhës Prishtinë, Gjakovë, Shkodër, Durrës është infrastruktura që do t'ia japë një hoë tjetër bashkimit tonë krahas rrugës së kombit e cila tashmë ka hyrë në dekadën e dytë. Një kombi i duhet infrastruktura ashtu që ai të jetë gjithnjë e më i bashkuar sepse mobiliteti i afron njerëzit si dhe e rrit në të njëjtën kohë potencialin për zhvillim. Përtej abetares duhet të shkojmë edhe drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore dhe plan programeve shkollore. Shkolla e përbashkët është baza e çdo integrimi tjetër kulturor, ekonomik dhe social. Shkolla duhet të prodhojë mendësinë e përbashkët shoqërore për të gjithë sektorët që do t'i ndërlidhim gjithnjë e më shumë", tha Konjufca.


Lajmi kryesor:

Ministri Ferit Hoxha në Prishtinë, takime me Kurtin, Haxhiun dhe Konjufcën: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë