Në vizitën e tij të parë në Prishtinë si ministër i jashtëm, kryediplomati Hoxha u prit fillimisht nga Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së Presidentes në Kosovë.
Ministri Hoxha u prit gjithashtu edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, për të vijuar më pas me homologun e tij Glauk Konjufca, njëherazi zv/kryeministër i parë në Kosovë.
Gjatë konferencës për shtyp dy ministrat u zotuan për më shumë bashkëpunim, ndërsa kryediplomati Hoxha përcolli qëndrimin e Tiranës zyrtare.
“Shqipëria nuk do të pranojë dhe nuk do të tolerojë asnjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë. Prania e NATO-s në Kosovë dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë kyç stabiliteti, sepse pa një Kosovë të sigurt, nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt”, tha Hoxha.
Ndërsa ministri Konjufca kërkoi mbështetjen aktive të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance. Shqipëria po e bën progresin e saj final drejt Bashkimit Evopian, por duhet të kërkoj që të kërkojmë së bashku që edhe Kosovës t'i jepet një mundësi e tillë. Për ne është jetike, është marrja e pyetësorit nga ana e Bashkimit Evopian si dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evopian. Në një farë mënyre Shqipëria krahas avancimit të vetë gjithmonë do ta ketë, do t'i bie dhe barra që të jetë edhe zëri i Kosovës gjithmonë”, tha Konjufca.
Në axhendën e ministrit Hoxha është parashikuar edhe një takim në Bazën e KFOR-it me Gjeneral-major Ozkan ULUTASH, Komandant i KFOR-it, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it.
Kryediplomati shqiptar do të takohet gjithashtu me drejtues dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë Kryetarin e PDK, Partisë Aleanca dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar detaje nga takimi i sotëm me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, gjatë vizitës së këtij të fundit në Prishtinë. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se bashkërendimi mes dy vendeve është “jo zgjedhje, por detyrë kombëtare”.
" I nderuar të mirëpres në takim vllazëror ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyeshme, janë marrëdhënie të dy shteteve të të njëjtit komb. Andaj, bashkërendimi dhe bashkëveprimi nuk është zgjedhje por detyrë kombëtare. Krahas marrëdhënieve bilaterale, me ministrin Hoxha biseduam për bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar, sikurse edhe për integrimin euro-atlantik të vendeve tona"
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Ministrit Hoxha në Prishtinë

Ministri Hoxha pritet nga kreu i PDK
Një tjetër ndalesë në axhendën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë vizitës në Kosovë ka qenë takimi me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe nevojën që vendi të ketë institucione stabile dhe funksionale. Hamza vlerësoi gjithashtu rolin e Hoxhës në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u shprehur se ai ka qenë “edhe diplomat i Kosovës” në çdo detyrë që ka ushtruar.
“Kënaqësi të takoja sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, zgjedhjet e ardhshme dhe rëndësinë që vendi të ketë institucione stabile, funksionale dhe me fokus te interesat e qytetarëve. Ministri Hoxha gjithmonë ka qenë edhe ‘diplomat i Kosovës’, në çdo detyrë që ka shërbyer dhe në çdo forum ndërkombëtar ku ka folur”, ka shkruar Hamza.

Pas takimeve me krerët e institucioneve të Kosovës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat” në Prishtinë, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.

Homazhet u zhvilluan në kuadër të vizitës zyrtare të Hoxhës në Kosovë, gjatë së cilës ai u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke u shprehur se vendi mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda dy ose tre viteve të ardhshme.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin Ferit Hoxha, Konjufca tha se ky vlerësim mbështetet edhe në qëndrimet e zyrtarëve europianë me të cilët ai është takuar.
“Të gjithë zyrtarët edhe evropianë, të cilët po i takoj edhe vetë, po thonë që Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një arritje shumë e madhe, zoti ministër, të përgëzoj edhe ty sepse për shumë vite ke qenë edhe atje në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe e ke bërë punën ashtu siç është më së miri. Në këto hapat e fundit jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh. Kjo do të jetë një arritje historike jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kombin shqiptar, ashtu siç e kemi përshëndetur edhe siç ishte një hap gjigant edhe hyrja e Shqipërisë në NATO”, deklaroi ai.
Konjufca theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të përbënte një mbështetje të rëndësishme edhe për aspiratat eurointegruese të Kosovës dhe do të forconte më tej pozicionin e shqiptarëve në strukturat euroatlantike.
Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Këtë mesazh përcolli ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, në Prishtinë.
Hoxha tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mbështeten në historinë e përbashkët, interesat strategjike dhe synimet euroatlantike, ndërsa theksoi se zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë koordinim edhe më të madh mes dy vendeve.
“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë, të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik.
U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime ministrore apo dhe më lart, siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë çdo vlerësi zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete të cilat kanë impakt për qytetarët. Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës. Kam ardhur këtu për të transmetuar dhe për të theksuar qartë atë që ka thënë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë” tha Hoxha.
Nga ana e tij, Glauk Konjufca tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një hap i rëndësishëm edhe për Kosovën dhe kërkoi mbështetjen e Tiranës për një afrim më të shpejtë të Prishtinës me Aleancën.
“Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance”, tha Konjufca.
Ai theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme edhe për procesin e integrimit europian të Kosovës, duke kërkuar avancimin drejt marrjes së pyetësorit të Bashkimit Evropian dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
“Shqipëria po e bën progresin e saj final drejt Bashkimit Evopian, por duhet të kërkoj që të kërkojmë së bashku që edhe Kosovës t'i jepet një mundësi e tillë. Për ne është jetike, është marrja e pyësorit nga ana e Bashkimit Evopian si dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evopian. Në një farë mënyre Shqipëria krahas avancimit të vetë gjithmonë do ta ketë, do t'i bie dhe barra që të jetë edhe zëri i Kosovës gjithmonë. Në këtë proces diaspora shqiptare në botë është një aset, është pasuri e jona kombëtare edhe është njëra prej platformave më të rëndësishme të politikës tonë të jashtme. Një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës vazhdon të jetojë jashtë atdheut. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në mbështetje të mërgatës shqiptare kudo nëpër botë. Ne jemi kombi i gjuhës dhe komb i kulturës. Prandaj mbështetja shtetërore për ruajtjen e identitetit është jetike për të ardhmen tonë kombëtare në dekadat që do të vijnë”, deklaroi Konjufca.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin rajonal, diasporën shqiptare, projektet infrastrukturore dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërqeveritar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
"U zotuam po ashtu që bashkëpunimi ndërqeveritar do të intensifikohet në të gjitha drejtimet dhe në të gjithë sektorët. Ekonomitë tona po integrohen gjithnjë e më shumë. Ato gjithnjë më tepër po bëhen si një ekonomi kombëtare. Prandaj vazhdimi i projekteve strategjike siç është ndërtimi i hekurudhës Prishtinë, Gjakovë, Shkodër, Durrës është infrastruktura që do t'ia japë një hoë tjetër bashkimit tonë krahas rrugës së kombit e cila tashmë ka hyrë në dekadën e dytë. Një kombi i duhet infrastruktura ashtu që ai të jetë gjithnjë e më i bashkuar sepse mobiliteti i afron njerëzit si dhe e rrit në të njëjtën kohë potencialin për zhvillim. Përtej abetares duhet të shkojmë edhe drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore dhe plan programeve shkollore. Shkolla e përbashkët është baza e çdo integrimi tjetër kulturor, ekonomik dhe social. Shkolla duhet të prodhojë mendësinë e përbashkët shoqërore për të gjithë sektorët që do t'i ndërlidhim gjithnjë e më shumë", tha Konjufca.

Presidenca e Kosovës ka zbardhur detaje nga takimi mes ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Sipas njoftimit, Haxhiu e vlerësoi diplomatin shqiptar për kontributin e tij ndër vite, duke i thënë se “keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, ndërsa kërkoi vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, afrimin me NATO-n dhe avancimin e procesit të integrimit europian.
"Në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve. Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Presidentja Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, është afirmuar mbështetja dhe afirmimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të konsoliduara se kurrë më parë, të mbështetura mbi partneritetin tonë strategjik, vizionin e përbashkët euroatlantik dhe lidhjet e pandashme mes dy vendeve tona. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj të gjithanshme për Kosovën, përfshirë në afirmimin dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë në mbështetje të Kosovës, sepse një Kosovë më e fortë, më e integruar dhe më e afirmuar ndërkombëtarisht është në interes të paqes, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit. ", bëri me dije ministri Hoxha.
Komente












Ne në shkoder thojme ti keke i marr fort mor minister i jashtem. Po pse mor ti a i rregullove punet e shqiperise ti qe do merresh me punet e kosoves . Kur ata thojne kemi shtet e flamur e skena nevoj per shqiperine e ti prap do ti ndihmosh !!!!
Përgjigju