Hapja e negociatave do të jetë sinjal inkurajues për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Negociatat janë një hap paraprak, jo përfundimtare për antarësimin në BE.
“Hapja e negociatave për aderim do të ishte një sinjal inkurajues për njerëzit, veçanërisht për të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoni”, tha ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.
“Megjithatë, rruga për të hyrë në BE është e gjatë dhe për çdo hap ka kushte të qarta. Pra çështja e fillimit të negociatave për aderim nuk është një çështje për aderim të menjëhershëm, por hapi i parë i një rruge të gjatë”, deklaroi ai.
“Rëndësia gjeopolitike e Ballkanit Perëndimor shpesh herë nënvleftësohet. Bëhej fjalë për një stabilizim dhe demokratizim të rajonit, nevojitet niveli i duhur i inkurajimit dhe kushteve të qarta”, shtoi ministri i Shtetit Roth.
Gjithashtu, ministri i Shtetti gjerman deklaroi se BE duhet të bëhet më e dukshme dhe mos të lejojë vendet e tjera për të destabilizuar rendin dhe modelin demokratik në Europë. Shqipëria theksoi Roth ka bërë hapa progresivë në reformën në drejtësi dhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ballkani Perëndimor është një test vendimtar për suksesin e qëndrueshëm të modelit Europian”, tha Roth në një intervistë për “Welt am Sonntag”.
“Njerëzit atje shpresojnë për demokraci, liri dhe shtet të së drejtës, të kombinuar me sigurinë dhe mirëqenien”, vazhdoi ai.
“Përfundimisht BE-ja duhet të bëhet më e dukshme, të përdorë influencën e saj dhe mundësitë e parashtruara. Çdo vakum do të mbushej me shumë kënaqësi nga të tjerët që janë më shumë të interesuar në destabilizim dhe që kundërshtojnë modelin tonë të qeverisjes dhe rendit”, tha Roth duke aluduar për përpjekiet e Rusisë që të influencojë rajonin.
“Shqipëria ka filluar një reformë në drejtësi që do i japë vendit një hap të madh përpara”, deklaroi Roth.
“Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka pasur sukses. Procesi i aderimit në BE është mënyra më e mirë për të parë se përpjekjet janë të vazhduara dhe intensive”, përfundoi ministri i Shtetit Michael Roth.