Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se raportet ndërkombëtare për klimën e investimeve dhe progresin europian evidentojnë problematika reale, por konfirmojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, me institucione më të qëndrueshme, ekonomi më të fortë dhe një reformë në drejtësi që “nuk kthehet pas”.
Gjatë diskutimit në mocionin me debat për klimën e investimeve dhe progresraportin e Komisionit Europian, Gogu theksoi se Investimet e Huaja Direkte në vitin 2024 arritën nivel rekord prej 1.71 miliardë dollarësh, ndërsa stoku total i investimeve është rritur me mbi 80% krahasuar me vitin 2018.
“Shqipëria është duke ecur në drejtimin e duhur. Fatkeqësish ekonomia nuk mat retorikën tonë politike, por mat sjelljen e kapitalit. Kapitali flet qartë. Në 2024-ën, investimet huaja direkt arritën në 1.71 mld dollarë, rekord historik për Shqipërinë. Stoku është rritur mbi 80%. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme nga 3.7-4%, e cilësuar nga FMN si ekonomia me rritjen më të madhe në rajon dhe Europë. inflacioni ka mbërritur në 2.2%. këto nuk janë slogane qeveritare, por tregues ekonomikë. Ndaj lind pyetja: Pse investohet sot në Shqipëri më shumë se dje, sepse investitori ndërkombëtar investon mbi drejtimin strategjik të një vendi, kapitali nuk pyet kush bërtet më fortë në politikë, pyet a ka stabilitet, siguri juridike, orientim të qartë europian”, u shpreh ministri.
Sipas tij, investitorët kërkojnë mbi të gjitha stabilitet institucional, siguri juridike dhe parashikueshmëri, ndërsa reforma në drejtësi duhet parë tashmë jo vetëm si reformë politike apo kusht integrimi, por edhe si reformë ekonomike.
Gogu pranoi problematikat e sistemit gjyqësor, duke përmendur backlog-un, nevojën për më shumë eficiencë dhe standarde procedurale, por theksoi se “ka dallim mes një sistemi që ka probleme dhe një sistemi pa drejtim”.
Ai solli si shembull uljen me 24% të backlog-ut në Gjykatën e Lartë gjatë vitit të fundit dhe me afro 60% krahasuar me pesë vite më parë, si dhe masat për rritjen e kapaciteteve të sistemit gjyqësor me staf të ri dhe sisteme elektronike të menaxhimit të çështjeve.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë u ndal edhe te garancitë procedurale dhe puna për Kodin e Ri Penal dhe Kodin e Ri të Procedurës Penale, duke theksuar bashkëpunimin me Këshillin e Europës për reduktimin e përdorimit të tepruar të paraburgimit dhe forcimin e proporcionalitetit procedural.
“Një shtet serioz nuk matet vetëm nga sa fort ndëshkon, por nga sa drejt procedon”, deklaroi Gogu.
Në fund të diskutimit, ministri kontrastoi “kulturën e stabilitetit institucional” me “krizën permanente politike”, duke theksuar se ekonomia moderne ndërtohet mbi besimin dhe jo mbi konfliktin e vazhdueshëm.
“Kapitali nuk investon aty ku ka më pak debat politik. Investon aty ku ka më shumë siguri për të nesërmen”, përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm











