Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi një vizitë në Institutin e të Miturve në Kavajë, me rastin e festimit të Ditës së Verës, ku u zhvilluan aktivitete kulturore dhe edukative me pjesëmarrjen e të rinjve të institucionit. Ai u njoh nga afër me aktivitetet që zhvillohen në institut dhe theksoi rëndësinë e programeve të rehabilitimit, arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë që ndodhen në konflikt me ligjin.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi se drejtësia për të miturit duhet të shkojë përtej ndëshkimit dhe të krijojë mundësi reale për rikthimin e tyre në shoqëri.
“Një shoqëri e fortë nuk është ajo që vetëm ndëshkon gabimet, por ajo që krijon mundësinë që një i ri të ngrihet përsëri dhe të ndërtojë një rrugë të re në jetë,” u shpreh ministri.
Gjatë aktivitetit, ministri dhuroi për bibliotekën e institutit librin “Të Mjerët” të Viktor Hygo, një nga veprat më të njohura të letërsisë botërore, që trajton temën e drejtësisë, mëshirës dhe shansit të dytë në jetë. Ministri theksoi se sistemi i drejtësisë për të miturit duhet të fokusohet gjithnjë e më shumë në arsim, aftësi profesionale dhe programe rehabilitimi që ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Lajmi kryesor:
Sot Dita e Verës/ Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet të Shqipërisë, Elbasani mbetet ‘shpirti’ i festës










