GJIROKASTER- “Nuk mund të rrija pa ardhur në Gjirokastër në këtë vizitë dyditore në Shqipëri ku ka një numër të lartë të nxënësve të minoritetit grek, pasi jam ministri i parë që vizitoj këtë rajon. Kemi ende shumë për të bërë për minoritetin dhe çështjet e arsimit dhe dua të shoh nga afër atë çka është bërë dhe duhet të bëjmë më tej”. Kështu është shprehur ministri grek i Arsimit Andreas Loverdos, gjatë vizitës që ka zhvilluar në Gjirokastër, ku është ndalur në shkollën “Pandeli Sotiri”.
 
Sipas tij, nga kontaktet dhe bisedat e zhvilluara me përfaqësues të arsimit, tekstet për këtë vit shkollor erdhën në kohë.
 
Ndërkohë Loverdos ka folur edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, ku ofroi mbështetje dhe njëkohësisht vlerësoi produktivitetin e tyre didaktik në shkollat greke.
 
“Rinovuam dhe mbështetëm riaktivizimin e një komisioni të përbashkët për shqyrtimin e teksteve shkollore për minoritetin. Nënshkruam marrëveshjen sesi do të funksionojnë ky komision. Në janar do të vizitojë Athinën ministrja e Arsimit shqiptar. Ne nuk kemi shkolla shqip në Greqi, por kemi nxënës shqiptarë që janë në të gjitha shkollat e Greqisë dhe janë nxënës shumë të mirë. Edhe këtu kemi akoma për të bërë për çështjet e arsimit të minoriteteve. Çdo marrëveshje e bërë do të jetë e pranueshme nga të dyja palët”, tha Andreas Loverdos.
 
Më pas ai ka vijuar vizitat e tij në shkollën e bashkuar të Dervicianit dhe Bularatit.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)