Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, në kuadër të takimit të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që po mbahet në Bratislavë. Gjatë takimit, Hoxha vlerësoi rolin e Italisë si një nga mbështetëset më të forta të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

“Italia mbetet jo vetëm një vend mik, një partner i afërt dhe një aleat strategjik, por edhe një nga mbështetësit më të fortë të Shqipërisë në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shpreha mirënjohjen e sinqertë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, të palëkundur dhe konkrete të Italisë për procesin tonë të integrimit në BE, duke vlerësuar veçanërisht rolin e qëndrueshëm të Italisë si një nga mbrojtëset më të fuqishme të perspektivës evropiane të Shqipërisë, si në planin dypalësh ashtu edhe në kuadër të Bashkimit Evropian.”, deklaroi Hoxha.

Në takim, dy vendet rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta mes tyre, të mbështetura mbi lidhjet historike dhe partneritetin strategjik në rritje,  në disa fusha, përfshirë mbrojtjen, energjinë, sigurinë, ekonominë, tregtinë, kulturën dhe shkëmbimet mes qytetarëve.

“Vlerësuam nivelin e lartë të bashkëpunimit dypalësh në një gamë të gjerë fushash, përfshirë dialogun politik të nivelit të lartë, mbrojtjen, energjinë, sigurinë, ndërlidhjen, ekonominë, tregtinë, kulturën dhe shkëmbimet mes qytetarëve tanë”, tha ai.

Ministri shqiptar theksoi gjithashtu se Tirana dhe Roma ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje europiane, rajonale dhe ndërkombëtare, si edhe për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu, nënvizuam përputhshmërinë tonë të fortë të qëndrimeve mbi çështje kyçe evropiane, rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen, sigurinë, stabilitetin rajonal dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Së bashku, do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në dobi të vendeve tona, qytetarëve tanë dhe një Evrope më të fortë”, u shpreh Hoxha.

Ai shtoi se ka pranuar edhe ftesën e ministrit italian Antonio Tajani për të vizituar Romën në javët në vijim.