Teksa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka thirrur për nesër (6 Shtator), në orën 10:00, mbledhje të të gjithë drejtorëve të policisë së qarqeve, si edhe drejtorët e departamenteve, mësohet edhe hyrja në fuqi në Fletoren Zyrtare, e Udhëzimit mbi Ligjin e ndryshuar për Policinë e Shtetit, pikërisht për "Përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit".
Në takim pritet të jetë edhe kryepolici Muhamet Rumbullaku, për të cilin konfirmohet se ka dorëzuar dorëheqjen tek ministri.
Hyrja në fuqi mban datën 4 Shtator të këtij viti, me numër 154 dhe mbështetet te “Udhëzimi i ministrit të Brendshëm nr. 160, datë 2.9.2024, për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.
Edhe pse nuk dihet tematika e mbledhjes, mësohet se në mbledhje pritet të diskutohet ligji i ri i Policisë, kryesisht për procedurën e përzgjedhjes së kreut të saj (tashmë i dorëhequr), si dhe drejtorëve vendorë, që kalojnë me një garë-konkurrues me verifikim, intervistim dhe vlerësim me pikë.
Këto pozicione me ligjin e ri do të përzgjidhen me komision të posaçëm dhe me kritere, kushte, dosje dokumentare, karrierë profesionale dhe faza të përcaktuara me detaje. Të njëjtës procedurë garimi si drejtori i përgjithshëm pritet të ndjekin edhe ata për drejtorët e qarqeve.
“Shqiptarja.com” po publikon edhe pjesën e projektligjit të hyrë në fuqi për kriteret, formularët dhe fazat e garimit që duhen përshkuar, për t’u bërë kryepolic.
Ky projektligj është ndërmarrë “në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pikës 2 të nenit 56 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Thirrja pas hapjes së garës publikohet në faqen e Ministrisë së Brendshme dhe në media, qëndron e hapur për 7 ditë dhe shtyhet nëse e sheh ministri të arsyeshme. Kandidatët do plotësojnë edhe një formular, teksa kalonë procedurën e verifikimit të dokumentacionit, integritetit, karrierës, aspektit profesional dhe më tej testet të ndara në faza, nën monitorimin e Komisionit dhe të faktorit ndërkombëtar të ftuar.
Në fund bëhet edhe verifikimi nga Prokuroria e Përgjithshme nëse kandidati ka probleme juridike apo ligjore dhe më tej ministri cakton renditjen sipas pikëve maksimale të kandidatëve dhe ia propozon emrin me më shumë pikë Kryeministrit, i cili ka dhe tagrin e zgjedhjes apo emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
KREU III
PROCEDURA E APLIKIMIT
Neni 10
Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit
1. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në mediat e shkruara dhe audiovizive. 2. Thirrja qëndron e hapur për 7 ditë. Ky afat mund të zgjatet me urdhër të Ministrit të Brendshëm.Neni 11Shprehja e interesit1. Kandidatët paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm për të shprehur interesin dhe për të dëshmuar kualifikimet e tyre për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.2. Kandidati duhet të paraqesë një aplikim të plotë, në mënyrë që të merret në konsideratë. Vlerësimi bëhet mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara.3.
“Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
a) një jetëshkrim i përditësuar;
b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë;
c) një vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;
ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit
ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja sipas pikës 1, shkronja “c”, të nenit 9 të këtij udhëzimi, nëse ka;
g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
i) një vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
j) një vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit;
k) autorizimet për Ministrinë e Brendshme/Komisionin sipas shtojës B të këtij udhëzimi.
-Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet t’i dorëzohen Komisionit deri në datën e përfundimit të afatit, në adresën postare dhe elektronike të shënuar në thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit.