Pas dy vitesh në krye të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i ka dorëzuar ministrit të Brendshëm dorëheqjen, duke i hapur rrugë hapjes së garës për kreun e ri të bluve. Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema bëjnë me dije se Kompetencat e kryepolicit i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë, në bazë të ligjit të ri.

Ndërkaq ministri i Brendshëm Ervin Hoxha do të mbledhë nesër në orën 10:00 të gjithë drejtorët e policisë së qarqeve, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit si edhe drejtorët e departamenteve.

Gjatë mbledhjes, e cila është e para e Hoxhës që ku mori postin e ministrit më 28 korrik, pritet të diskutohet ligji i ri i policisë, kryesisht për procedurën e përzgjedhjes së kreut të policisë, drejtorëve vendorë. Këto pozicione me ligjin e ri do të përzgjidhen me komision.

Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, ndërsa zëvendësoi në këtë post Gledis Nanon, i cili u shkarkua nga kjo detyrë. Më parë Rrumbullaku ka qenë drejtues i SHÇBA-së, e transformuar në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.

Nga ana tjetër drejtues i Lartë Sokol Bizhga mban detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që prej muajit dhjetor 2022. Bizhga ka lindur në vitin 1962, në Gjirokastër, dhe aktualisht banon në Tiranë. Në vitin 1990 ka marrë titullin “Oficer”, pas përfundimit të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.