/ATSH/.- Ministri i Arsimit, Ramë Buja i ka sqaruar publikisht Universitetit të Prishtinës për pagesën e semestrit, të cilin ka thënë duhet ta bëjnë me përgjysmim të çmimit, siç e parashikon edhe vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës.

Sipas KosovaPress, në një deklaratë për media, Buja tha se "ne e kemi sqaruar, i kemi dërguar edhe shkresën dhe gjithçka është e qartë besoj për ata që duan ta përmbushin detyrimin. Unë e kam bërë sqarimin me shkrim dhe iu kam dërguar të gjitha institucioneve, është vendimi i qeverisë që është marrë vendimi për lirim, përgjysmim të çmimit të pagesës së semestrave dhe unë i kam sqaruar përfundimisht, ata që duan ta respektojnë e respektojnë, ata që nuk duan duhet të jenë përgjegjës para ligjit".
Kjo deklaratë ka ardhur pas kërkesës së UP-së drejtuar MASHT-it se me çfarë tarife duhet të paguajnë semestrin studentët e doktoratës si dhe të niveleve tjera të studimit, të cilët këtë semestër po e paguajnë me vonesë.