Një deklaratë shumë të fortë ka bërë ministri Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov. mediat ruse shkruajnë se ai është shprehur se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

“Kosova dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen baza të krimit. Atje ka terroristë, trafikantë droge. Është një bazë rekrutimi për mercenarë që marrin pjesë në konflikte të nxitura nga shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas, dhe vende të tjera, në mënyrë që të çekuilibrojnë Rusinë. Po i verifikojmë këto informacione tani”, tha ministri i Jashtëm rus.

Nisur nga kjo deklatatë, Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorin rus në Shqipëri në shenje proteste dhe i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit.

"Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit", thuhet në reagim. 

Një reagim të ashpër ka pasur edhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale kërkon që të ketë një shpjegim për këtë deklarata nga ana e ambasadës ruse në Tiranë.

Në fillim të muajit, Moska u informua nga shërbimet inteligjente të separatistëve të mbështetur prej saj në këtë krahinë, për praninë e mercenarëve britanikë dhe polakë. Krahina e Donbasit, bashkë me atë të Luhanskut, është një prej epiqendrave të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë, të nisur prej vitit 2014, kur Moska aneksoi edhe Gadishullin e Krimesë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
Deklaratat e Lavrov për mercenarët, ambasada e Ukrainës në Tiranë: Përpjekje për të përkeqësuar situatën! Ndërkombëtarët të dënojnë provokimet nga Rusia

Ambasada Ukrainase në Tiranë i ka quajtur deklarata dezinformuese akuzat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se se mercenarë nga Shqipëria, po rekrutohen për t’u dërguar në Donbas. Në regim shkrujnë se këto po bëhen me qëllim që të përshkallëzojnë konfliktin, teksa i bëjnë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë.

“Në lidhje me akuzën e palës ruse që pretendon se Ukraina po përgatit një ofensivë të armatosur në Donbas, Ukraina deklaron si më poshtë.
 Shtetasit ukrainas banojnë në të dy anët e linjës së kontaktit. Paqja, siguria dhe mirëqenia e tyre janë një prioritet absolut për Ukrainën.
 Pretendimet se qeveria ukrainase synon të nisë një operacion sulmues në territoret e pushtuara përkohësisht të rajoneve Donetsk dhe Luhansk janë të shkëputura nga realiteti.
 Ukraina gjithashtu nuk po kryen apo planifikon asnjë akt sabotazhi në Donbas. Ne hedhim poshtë kategorikisht përpjekjet e Rusisë për të përkeqësuar situatën, tashmë të tensionuar të sigurisë. Mbetemi fort të përkushtuar ndaj zgjidhjes politiko-diplomatike dhe, së bashku me partnerët tanë, maksimizojmë përpjekjet për të ulur tensionin dhe për ta mbajtur situatën në linjë me dialogun diplomatik.
 Përkundrazi, vëzhgojmë Federatën Ruse që shpalos fushatën e saj për të shpërndarë dezinformim masiv dhe për të përshkallëzuar situatën e sigurisë:
 - pala ruse refuzoi të jepte informacionin e kërkuar nga Ukraina dhe vendet partnere për aktivitetet e saj ushtarake në afërsi me kufirin shtetëror të Ukrainës sipas dispozitave të Dokumentit të Vjenës, injoroi takimet e OSBE-së më 15 dhe 18 shkurt; 
- më 16 shkurt, Komiteti Hetues i Federatës Ruse nxori një deklaratë të pavërtetë duke pretenduar se ushtria ukrainase po përdor metodat dhe mjetet e ndaluara të luftës dhe po kryen akte kriminale kundër popullatës civile në Donbas; 
- më 17-18 shkurt, formacionet ilegale ushtarake të Rusisë bombarduan qytetet ukrainase të Stanytsia Luhanska dhe Maryinka, si dhe komunitetet përgjatë vijës së kontaktit, me armatim të ndaluar sipas Marrëveshjeve të Minskut, duke dëmtuar infrastrukturën civile dhe duke shkaktuar lëndime mes civilëve dhe ushtarakëve ukrainas; 
- vetëm gjatë 17 shkurtit, formacionet ilegale ushtarake të Rusisë bënë 60 shkelje të armëpushimit, duke përdorur armë të ndaluara sipas Marrëveshjeve të Minskut në shumicën dërrmuese të rasteve;
 - më 17 shkurt, delegacioni rus përdori premisat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të përhapur insinuata dhe akuza të pabaza ndaj Ukrainës, duke diskredituar përpjekjet paqësore të kësaj të fundit; 
- më 17 shkurt, propaganda ruse shpërndau lajme të rreme duke pretenduar se një grup ukrainas kishte kryer një akt sabotimi në një fabrikë kimike në rajonin e Donetskut;
 - më 17 shkurt, Rusia refuzoi të zhvillonte një raund të jashtëzakonshëm konsultimesh të nëngrupit të sigurisë të Grupit të Kontaktit Trepalësh të thirrur nga delegacioni ukrainas, për të diskutuar bombardimin e qyteteve të Ukrainës nga territoret e pushtuara përkohësisht;
 - Më 18 shkurt, pala ruse akuzoi edhe një herë Ukrainën për planifikimin e një operacioni sulmues në Donbas. Banorëve të zonave të pushtuara përkohësisht po u kërkohet të evakuohen në territorin rus. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për raportet për transferimin masiv të fëmijëve nga territoret e pushtuara në Rusi.
 
Rusia po i bën këto lëvizje për të rritur presionin psikologjik si mbi qeverinë ukrainase, ashtu edhe mbi banorët e territoreve të pushtuara përkohësisht dhe për të formuar një sfond informacioni për të fshehur përshkallëzimin e situatës së sigurisë.

I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare që të dënojnë menjëherë provokimet e kryera nga Federata Ruse dhe administratat e saj pushtuese në Donbas, duke minuar procesin e zgjidhjes politiko-diplomatike.
 
Është koha për veprime vendimtare për të parandaluar një valë të re sulmi kundër Ukrainës që do të ketë pasoja shkatërruese jo vetëm për sigurinë e shtetasve ukrainas, por edhe për sigurinë e të gjithë shtetasve të Evropës.
 
 Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë që të përdorin menjëherë masa parandaluese kundër Rusisë, përfshirë sanksionet, për ta detyruar atë të heqë dorë nga realizimi i planeve të saj agresive.

Mungesa e reagimit të duhur ose një qëndrimi neutral, do të shërbejë vetëm për përshkallëzim të mëtejshëm.
 
Komuniteti ndërkombëtar tani mban përgjegjësi për parandalimin e një konflikti të ri të armatosur në Evropë.”, thuhet në reagimin e Ambasadës Ukrainase në Tiranë.

Ora 21:30
Mercenarë shqiptarë në Ukrainë? Ministria e Jashtme Shqiptare: Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse, i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka hedhur poshtë deklaratën e ministrit rus Sergei Lavrov se ka dyshime që në Ukrainë  ndodhen “mercenarë shqiptarë”. Ministria bën të ditur se në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit.

"MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e "mercenarëve shqiptarë" në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit", thuhet në reagim. 

Ora 19:39
Mercenarë shqiptarë në Ukrainë? Meta në 'Kontrast': Dezinformim ose propagandë! Rusia të vetëpërmbahet

1645206130_WhatsAppImage20220218at18.34.121.jpeg

Presidenti Ilir Meta ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov se po mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po rekrutohen për luftën në Donbas. Sipas Metës, kjo mund të jetë një deklaratë e ndikuar nga dezinformacionet në media ose për qëllime propagandistike.  

"Mund të jetë ndikuar nga dezinformacionet nga mediat e ndryshme dhe në rastin më të keqe një shpikje propagandistike sikur vendet tona përbëjnë një rrezik apo një tendencë të caktuar ndaj Rusisë, gjë që nuk është e vërtetë, ne jemi në përkrahje të Ukrainës, duam një zgjidhje të shpejt përmes diplomacisë, do dënimin çdo agresion dhe dëshirojmë që Rusia të vetëpërmbahet dhe përmes diplomacisë të tejkalohet kjo situatë", tha Meta.  

Ora 14:55
Mercenarë shqiptarë në Ukrainë? Majko i përgjigjet ashpër Lavrovit: Ambasada të japë shpjegime

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm rus, Lavrov i cili tha sot se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës, të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Majko është shprehur se kjo deklaratë është e paprecedentë dhe ambasada të japë shpjegime.

“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për “mercenarë” shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë. Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (në se do ta bëjë)… Kanali TelevizivËËION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën. Njeriu i mençur e bën menjëherë atë çfarë budallai e bën në fund! (Makiavel)”, shkruan Majko, teksa publikon videon e mëposhtme.