Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se marrëdhëniet e Serbisë me Këshillin e Evropës mund të përkeqësohen nëse kjo organizatë pranon Kosovën si anëtare dhe se Beogradi mund të mos marrë pjesë në samitin e krerëve të qeverive të organizuar nga Islanda.

“Kam menduar se Kosova i ka siguruar kushtet për anëtarësim shumë kohë më parë, kanë dy të tretat e vendeve (të Këshillit të Evropës) që i mbështesin, por shumë vende nuk janë të kënaqura dhe nuk janë në disponim për të marrë vendime të tilla pa përfunduar dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës sepse e dinë se kjo gjë do e dëmtonte procesin”- ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Ai ka përsëritur se ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, me të cilin është takuar dje, ka treguar sërish se Hungaria, e cila e ka njohur Kosovën, nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sa i takon qëndrimit të Serbisë ndaj vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Daçiç tha se vendimi i marrë në fillim të luftës në Ukrainë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është ende në fuqi.

“Çështja e vendosjes së sanksioneve është çështje e interesit tonë kombëtar dhe në atë mënyrë do të vazhdohet. Ai vendim nuk është ndërmarrë dhe as nuk mendohet të ndryshohet”, tha ai.

Ai tha se Serbia është e detyruar të mendojë për çështjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë si një çështje e vetme, sepse vendet që mbështesin integritetin territorial të Serbisë mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre nëse Beogradi vendos sanksione kundër Moskës.