Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Hoxha përmes një postimi në rrjetin social X, thekson se gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i fortë dhe i qëndrueshëm mes dy vendeve, bashkëpunimi i ngushtë dhe miqësia e kahershme, si edhe aleanca e palëkundur në kuadër të NATO. Sipas Hoxhës, SHBA mbetet një aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë.

Gjatë bisedës, palët diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë situatën aktuale në Lindja e Mesme.

Hoxha theksoi se Shqipëria qëndron krah aleatëve për të parandaluar regjimin iranian nga sigurimi i armëve bërthamore, si dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.

Postimi i plotë:

Kënaqësi të zhvilloja një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Gjatë takimit rikonfirmuam partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësinë e kahershme, si edhe aleancën tonë të palëkundur në kuadër të NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë.

Diskutuam gjithashtu zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë situatën aktuale në Lindjen e Mesme. Shqipëria qëndron përkrah aleatëve të saj në mbështetje të përpjekjeve për të parandaluar regjimin iranian nga sigurimi i armëve bërthamore apo armëve të tjera të shkatërrimit në masë, si dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Siguria e aleatëve tanë mbetet e panegociueshme.

Po ashtu, shkëmbyem pikëpamje mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë, rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale, rritjen e qëndrueshmërisë demokratike dhe avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.