Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiçit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.
“Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.
Maqedonci tha se pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, grupi i Radoiçiqit ka vazhduar me sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit. Sipas tij, këto sulme kanë shkaktuar pengesa për qytetarët që të kenë qasje në shërbime esenciale, me qëllim destabilizimin e vendit.
“Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai./Koha