Minsitri Koka është i pranishëm në “Segmentin e Nivelit të Lartë të COP21/CMP11”, i cili zhvillohet datat 7 dhe 8 Dhjetor 2015. Gjatë takimeve dhe tryezave të rrumbullakëta Ministri Koka ka shprehur gadishmërinë e qeverisë shqiptare për tu bashkuar në sfidën globale ndaj ndryshimeve klimatike. “Shqipëria dorëzoi Kontributin Kombëtar të Synuar (INDC) në Shtator 2015, para afatit të përcaktuar duke marrë angazhim për ndryshimet klimatike dhe duke u rreshtuar krahas shteteve të tjera. Angazhimet e vendit tonë për reduktimin e emetimeve të Gazeve me Efekt Serrë janë përfshirë në dokumentin e miratuar të INDC-së dhe synohet një reduktim prej 11.5% i tyre deri në vitin 2030.”- është shprehur Ministri Koka.
Gjatë punimeve të Konferencës, Shqipëria është mbështetur ne rritjen e kapaciteteve administrative dhe hartimin e politikave dhe legjislacionit për ndryshimet klimatike ne linje me politikat e BE-se.
Shqipëria ka përgatitur dhe miratuar dokumentin e INDC-së, si kontributin tonë kombëtar të pikësynuar në kuadër të përpjekjeve globale për reduktimin e emetimeve të Gazeve me Efekt Serrë dhe mbajtjen e temperaturës nën 2°C. Për zbatimin e INDC-së mbetet për t’u marrë një paketë masash që synon reduktimin me 11.5% gazet me efekt serrë lidhet me investimet në fushën e ndërtimit, industrisë dhe transportit. Kostoja totale e këtyre masave deri në vitin 2030 është rreth 687 milion euro. Shumica e masave të identifikuara për përcaktimin e INDC-së, janë masa të lidhura me përdorimin me efiçiencë të burimeve energjetike dhe aplikimin e energjive të rinovueshme dhe biokarburantet.
Konferenca e Palëve mbi Klimën Paris 2015, merr një rëndësi tepër të veçantë, duke qenë se për herë të parë në më shumë se 20 vjet negociata të OKB-së, synon të arrijë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe universale mbi klimën, me qëllim mbajtjen e ngrohjes globale nën 2°C.