Ministri i Shëndetësisë, Kosova:
Nuk do të ketë mungesë ilaçesh

Ministri i Shëndetësisë, Kosova:<br />Nuk do të ketë mungesë ilaçesh
TIRANE - Ministri i Shëndëtësisë, vetëm një ditë pas ardhjes në postin e ri dekalaroi se shembullin e punës dhe të disiplinës që ka patur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, do ta shtrijë në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Ndonëse mandati i tij si Ministri i Shëndetësisë, është i sigurt për 2 muaj, dhe më jetëgjatë nëse e djathta fiton të drejtën për të qeverisur vendin edhe 4 vitet e ardhshme, Kosova tha se tashme do të zgjidhë ato probleme që e kanë shqetësuar gjatë gjithë kohës, por nuk ka pasur mundësi t’i ndryshojë.

Sipas tij ndër problemet që ai do t’i japë zgjidhje  është mungesa e medikamenteve në spitale. Kosova u shpreh se nuk do të këtë më familje që të dalin me recetë nga spitalet për të shkuar në farmaci dhe të blejnë ilaçet. "E kam të qartë që është e pamundur të shtyjmë muajt, ditët. Koha është kjo që është.

Ditën do të punojmë me orën e Evropës, natën me të Amerikës. Atë që gjithnjë e kam quajtur të papranueshme për një sistem shëndetësor është që kur familjari merr fëmijën, nënën, motrën, vëllain dhe niset me urgjencë në spital dhe arrin në spital dhe thotë shyqyr që mbërrita dhe po e lë familjarin në duar të sigurta. Pas vizitës të jepet receta dhe i thuhet familjarit të shkojë të blejë ilaçe.

Kjo është e papranueshme. Shembulli nuk janë fjalët. Në maternitet asnjë familjar nuk ka shkuar jashtë të blejë ilaçe, vaksina apo medikamente të tjera", thotë ministri i ri. Ndërsa përsa i takon shkarkimit të punonjësve ai u shpreh se do të respektonte statusin e nëpunësit civil. "Nuk është sekret që unë të them që mua porosia e parë që Kryeministri më ka dhënë në zyrën e tij, ishte respekto statusin e nëpunësit civil.

Kjo është një gjë që nuk do te jetë partia që do të vendosë, sesa do të jetë puna e gjithsecilit. Mjekësia nuk ka ngjyra, ka bluzën e bardhë, do e respektojmë do ta mbajmë të pastër", tha Kosova. Ministri Kosova gjithashtu u shpreh se shëndetësia ka aq buxhet dhe aq mbështetje nga qeveria sa të bëhen hapa para, pa premtuar ndryshime të menjëhershme por me dëshirë për të nisur nga fillimi detyrimet që sipas tij, janë për qytetarët.

Më tej ministri u shpreh se sistemi shëndetësor vuan nga një sërë problemesh, ankesat dhe kritikat e pacientëve do të jenë çelësi i përmirësimit të sistemit shëndetësor. Kosova gjithashtu deklaroi se një shembull i mirë i punës së tij është nisma 'Act Now',  e cila përfshin denoncimet e qytetarëve nëpërmjet një numri telefoni për çdo shkelje që konstatojnë, nismë e cila ka funksionuar edhe në maternitetin 'Mbreteresha Geraldinë', ku Kosova mbante postin e drejtorit para se të bëhej ministër.

Ndërsa sot ministri Kosova do të marrë pjesë në aktivitetin sensibilizues në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, që do të zhvillohet të Kodrat e Liqenit, në kryeqytet.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës