Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, priti sot Prof. dr. Shakeel Qureshi, kardiolog i fëmijëve nga Britania e Madhe, i cili po qëndron në Kosovë, në lidhje me realizimin e bashkëpunimit më të ri në fushën e kardiokirurgjisë.

Në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se Agani duke e vlerësuar lartë gatishmërinë e dr. Qureshit dhe ekipit të tij për ndihmën profesionale në fushën e kardiologjisë së fëmijëve në Kosovë, tha se "është më se e nevojshme që profesor të tillë të vijnë në Kosovë dhe të kontribuojnë me përvojat e tyre në avancimin e profesionistëve shëndetësorë të Kosovës".

"Kosova ka kapacitete profesionale mjekësore të moshës së re, gjë që premton një të ardhme të mirë për shëndetësinë, prandaj kontributi juaj është më se i mirëseardhur", tha ministri Agani.

Profesori Shakeel Qureshi u shpreh se "misioni i mjekut është të shpëtojë jetë dhe puna që ka bërë këto ditë në Kosovë, është vetëm një detyrë që ka ai dhe çdo profesionist shëndetësor për pacientët".

Ekipi kardiologjik dhe kardiokirurgjik i udhëhequr nga profesor Shakeel Qureshi, kardiopediatri më i njohur në botë në fushën e kardiologjisë pediatrike, kanë bërë 10 ndërhyrje deri tani që kanë rezultuar me sukses dhe pritet të bëhen edhe dy ndërhyrje të tjera gjatë qëndrimit të këtij ekipi në Kosovë.

ATSH