TIRANË - Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ka qenë temë qendrore e diskutimit gjate takimit te ministrave te Drejtesise te Shqiperise e Kosoves, Nasip Naco e Hajredin Kuci.
Ministri Naço ka theksuar se ndasitë e diktuara për shkak të rrethanave historike duhen rikuperuar përmes vendosjes së marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat, përfshirë edhe drejtësinë.

Ministri Kuçi ka shfaqur interes lidhur me funksionimin e mbikqyrjes elektronike, për të cilën do të ishte me rëndësi dhënia e disa specifikimeve teknike.

Në nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit të dy ministrat kanë mbetur të kënaqur, ndërsa rane dakord mbi nisjen e një marrëveshjeje në fushën e të drejtës civile.

Gjatë konferencës pasuese për shtyp të dy ministrat theksuan nevojën e ndërmarrjes së reformave të shkëmbimit të eksperiencës, duke patur objektiv ngritjen e një sistemi drejtësie lider në rajon, përsa i takon thellimit të reformave.

Naço evidentoi rëndësinë e sigurisë juridike në të dyja vendet, si një fakt përcaktues edhe në nivel të përthithjes së investimeve të huaja. "Reformat tona do të jenë në një linjë me standardet e BE-së, duke qenë se anëtarësimi në të është një sfidë e përbashkët", tha Naço.

Në vijim të takimeve zyrtare, Naço është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e një dialogu politik parlamentar, i cili do të ishtë në shërbim të thellimit të reformave. Ministri Naço theksoi se vullneti politik dhe gjithëpërfshirja janë çelësi I suksesit të reformave. Referuar ngjarjeve të fundit të shënuara në Kosovë, ministri Naço vlërësoi se duhen respektuar të drejtat e pakicave apo edhe opozitës për të protestuar, por kjo duhet të ndodhe brenda standardeve të gjithëpranuara demokratike, duke mos cënuar proceset integruese të vendit.

Ministri Naço është takuar edhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, Enver Peci. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)