Ministri Noka: Do arrestohen kush
ndërpret energjinë, CEZ: E paligjshme

Ministri Noka: Do arrestohen kush<br />ndërpret energjinë, CEZ: E paligjshme
TIRANE- Ministri i Brendshëm Flamur Noka i urdhëron policinë të arrestojë çdo person që do të ndërpresë energjinë elektrike në stacionet e pompimeve. Menjëherë më pas reagoi dhe CEZ duke e akuzuar se po i bën presion punonjësve të saj dhe e quajti urdhrin e ministrit të paligjshëm. 

MINISTRI NOKA: PO CENOHET SIGURIA KOMBETARE

Ministri i Brendshëm Flamur Noka në një prononcim për TV A1 Report deklaron se ujësjellësat janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe nuk do të lejojnë ndërprejen e energjisë. “Ujësjellësat janë objekte të rëndësisë së veçantë dhe nuk do të lejojnë ndërprejen e energjisë as për institucionet dhe as për qytetarët.
Do të ndërhyjmë pas çdo denoncimi të bërë si nga qytetarët dhe institucionet.”- tha Noka mesditën e sotme. Ndërsa urdhëroi policinë të ndalojë cdo person që do të ndërpresë energjinë elektrike në stacionet e pompimeve.

“Ndërprerja e energjisë është akt kriminal që cënon sigurinë kombëtare. Kush ka ndërprerë energjinë ujësjellësave do të përballen me ligjin. Madje ministri deklaron se borxhi që CEZ i ka KESH është më i madh se ai që ujësjellësat i kanë ndaj CEZ. “Borxhi i CEZ ndaj KESH më i madh se ai i ujësjellësave ndaj CEZ"- ka thënë Noka për tv A1Report.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme ministri Noka thirri në takim kryeprokuroren Ina Rama dhe Avokatin e Popullit Igli Totozani, në një takim i cili zjgati rreth 18 minuta, për të diskutuar mbi situatën mes CEZ dhe ujësjellësave dhe ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në disa ujësjellësa në rrethe.

CEZ KUNDERSULMON POLICINE: PO USHTRON PRESION MBI PUNONJESIT TANE 
Bazuar në legjislacionin në fuqi, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka të drejta të plota ligjore për të shkëputur dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike të çdo debitori, qoftë person privat apo publik. Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë, duke dëmtuar interesat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe të klientëve që e paguajnë energjinë.

“Policia e Shtetit është duke ushtruar presion mbi punonjësit tanë, të cilët janë duke kryer detyrat e tyre dhe duke shkëputur debitorët nga rrjeti i shpërndarjes. Jemi informuar se Policia e Shtetit ka marrë një urdhër për të shoqëruar cilindo nga punonjësit tanë që është duke kryer detyrën dhe është duke shkëputur nga rrjeti i shpërndarjes ndërmarrjet e ujësjellësve. I kërkojmë policisë të japë sqarime dhe deklarata publike mbi ekzistencën e këtij urdhri, i cili është arbitrar, abuziv dhe në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit.”- thuhet në njoftimin e CEZ.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të ndjekë të gjithë hapat dhe procedurat ligjore përkatëse duke denoncuar pranë autoriteteve kompetente çdo punonjës policie për shpërdorim dhe abuzim me detyrën dhe funksionin publik, duke penguar aktivitetin e shoqërisë dhe punonjësit tanë në kryerjen e detyrave të tyre.

“Nëse veprimet arbitrare, abuzive dhe të jashtëligjshme të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe/ose të mbështetura nga autoritete dhe institucione të tjera publike të shtetit shqiptar, do t’i konsiderojmë këto veprime si një formë indirekte dhe e jashtëligjshme shpronësimi duke qenë se Policia e Shtetit ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme në aktivitetin e shpërndarjes dhe i shkakton një dëm të konsiderueshëm shoqërisë. “- nënvizon CEZ
Në fund të deklaratës CEZ thotë “Ftojmë të gjithë autoritetet dhe institucionet publike, përfshirë ERE, qeverinë dhe Policinë e Shtetit, të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë.”

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?