Ankara, Turqi, 8 Tetor 2026 – Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi vizitoi sot Ankaranë, ku zhvilloi një takim me homologun turk, Yaşar Güler. Në fokus të bisedimeve ishte thellimi i partneritetit strategjik Shqipëri–Turqi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe orientimi i bashkëpunimit drejt projekteve konkrete.
Gjatë takimit, Ministri Nufi nënvizoi se “Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar, të mbështetur në lidhje të forta historike dhe njerëzore, anëtarësimin e përbashkët në NATO dhe një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e mbrojtjes e sigurisë.”
Ai shprehu vlerësimin e Shqipërisë për kontributin e kahershëm të Turqisë në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, duke cilësuar rëndësinë e një bashkëpunimi gjithnjë e më praktik.
“Për më shumë se 20 vjet, kadetë, oficerë dhe nënoficerë shqiptarë kanë ndjekur akademi dhe programe trajnimi në Turqi, duke e bërë arsimin dhe trajnimin një nga shtyllat më të qëndrueshme të marrëdhënies dypalëshe në mbrojtje. Bashkëpunimi do të vijojë të fokusohet në modernizimin e FARSH, zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë, në përputhje me standardet dhe objektivat e NATO-s.” – është shprehur z. Nufi gjatë takimit.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte gjithashtu edhe zgjerimi i bashkëpunimit me kompanitë turke përmes investimeve në Shqipëri dhe ndërmarrjeve të përbashkëta.
“Shqipëria sheh potencial për transferim të përshtatshëm të teknologjisë dhe zhvillim të kapaciteteve vendase, duke krijuar mundësi të reja për industrinë shqiptare të mbrojtjes.” – është shprehur Ministri Nufi.
Në një postim në rrjetet sociale pas takimit, Nufi theksoi se të dyja palët ndajnë nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri.
Postimi i Ermal Nufit:
Sot në Ankara gjatë takimit zyrtar me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler, nënvizuam bashkërisht nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin në #mbrojtje e #siguri në fusha me interes të ndërsjellë.
Shqipëria dhe Turqia ndajnë një partneritet të konsoliduar strategjik, të mbështetur në lidhje të forta historike dhe njerëzore, në anëtarësimin e përbashkët në #NATO dhe në ambicien e rritjes së bashkëpunimeve të qëndrueshme.
Forcojmë përpjekjet e përbashkëta me Turqinë mike në modernizimin e #FARSH, zhvillimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërveprueshmërisë në përputhje me standardet e NATO-s, ndërsa dy vendet tona shohin potencial investimi të kompanive turke dhe ndërmarrjeve të përbashkëta në industrinë shqiptare të mbrojtjes.
Faleminderit për mikpritjen e përzemërt, i nderuar Ministër Güler!








Komente
Komento