TIRANE- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të kontrollojë prodhimet bujqësore për praninë e hormoneve apo insekticideve. Me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë, realizimi i këtij kontrolli synon të qetësojë qytetarët shqiptarë lidhur me produktet që konsumojnë. Sipas urdhrit të Ministrit Panariti, AKU-së i kërkohet “që të marrë në gjithë pikat e grumbullimit, serat dhe fermat e mëdha në gjithë vendin, mostra të prodhimeve bujqësore të freskëta dhe t’i dërgojë ato menjëherë në Institutin e Sigurisë Ushqimore e Veterinare (ISUV) ku do t'u bëhen analiza të detajuara për fito-hormone, insekticide, metale të rënda dhe ndotës ambientalë”.
 
“ISUV, një institut i certifikuar ndërkombëtarisht për një sërë analizash, shumë shpejt do të nxjerrë rezultatet e analizave mbi këto produkte për të qetësuar konsumatorët shqiptarë. ISUV në vijim do pajisë me një certifikatë sigurie këto ferma lidhur me produktet që dalin prej tyre para se ato të dërgohen në treg”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Bujqësisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)