Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po zhvillojnë sot një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit për Buxhetin 2026 në qytetin e Elbasanit.

Gjatë fjalës së tij Ministri Andis Salla tha se për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50% ‘kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon’.

“Këto vite, ja kemi dalë të zhvillojmë sektorin bujqësor dhe rural në Shqipëri duke rritur mbështetjen buxhetore për sektorin dhe financuar mbi 65 mijë fermerë në gjithë vendin.  Për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50%, kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon. Jemi të vetëdijshëm që ky sektor vijon të përballet me sfida nga më të ndryshmet. Megjithatë, është fakt që sot bujqësia shqiptare ka më shumë mbështetje dhe më shumë mundësi se disa vite më parë, dhe kjo është një arritje e përbashkët  e punës suaj dhe e angazhimit të Qeverisë”, tha Salla.

Salla theksoi se 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve. Sipas Sallës kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

“Për vitin që vjen kemi buxhetin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë, rreth 16.3 miliard lekë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin. 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes si: pagesë direkte për fermerët dhe grantet e investimeve në ferma dhe agrobiznese Kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i vitit 2025. Mbështetja për sektorin jo vetëm që nuk ndalet, por po rritet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.

Ndër të tjera ai nënvizoi do të rishikojnë skemën kombëtare të mbështetjes, teksa theksoi synojnë ta përafrojnë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.

"E dimë shumë mirë që skema e mbështetjes direkte është tema që ju prek më shumë. Kemi marrë nga ju mesazhe, komente, ide, kritika dhe sugjerime: për kriteret, mënyrën e ndarjes së fondeve dhe ndjesinë që disa kategori fermerësh ndihen më pak të mbuluar. Ndaj sot dua ta them shumë qartë do ta rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi për qëllim të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejt mes Qeverisë dhe gjithsecilit prej jush. Së bashku me ekipin do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe per tu pershtatur me realitetin në terren. Gjithashtu ne synojmë ta përafrojmë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian", tha Salla.


Lajmi kryesor:

Skema e mbështetjes për fermerët, Rama: Të gjitha pagesat mbyllen 100% brenda dhjetorit, kemi përmbysur raportin eksport-import