Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve. Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në këto fusha përbën një komponent thelbësor të ecurisë së negociatave.
Ministri vuri në dukje se siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njeriut, besimin e konsumatorit dhe aftësinë e produkteve shqiptare për të hyrë dhe konkurruar në tregun evropian. Në këtë kuadër, ai theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrollit zyrtar në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse, si laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar.
Në fjalën e tij, Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Europian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit EU for Food Safety, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar. Salla theksoi se përveç hartimit të akteve nënligjore, fokusi do të jetë edhe te forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk, për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor, në mënyrë që standardet të zbatohen njësoj në të gjithë territorin.
Në këtë drejtim, Ministri bëri të ditur se parashikohet një investim prej rreth 20 milionë dollarësh për ndërtimin e 7 Pikave të Inspektimit Kufitar, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it, të cilat kanë rol kyç në procesin e integrimit europian dhe kontrollin e importeve dhe eksporteve.
Lajmi kryesor:
Siguria ushqimore, Balla: Një nga grup kapitujt më të vështirë për negociatat me BE! Shqipëria në rrugën e duhur, por duhet marsh më i shpejtë











