Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla u ndal këtë të hënë në Vlorë , ku zhvilloi një takim me fermerë të bashkisë së qytetit bregdetar në kuadër të procesit të hartimit të Skemës Kombëtare 2026.
Në sallën e Pallatit të kulturës në Vlorë, ministri Salla dëgjoi nga afër këndvështrimet e fermerëve mbi sfidat aktuale, potencialet e pashfrytëzuara dhe nevojat për mbështetje më të qëndrueshme, me synim zhvillimin afatgjatë të bujqësisë në zona të rrethit Vlorë.
'Kemi nisur një tur me takime në të gjithë vendin për të dëgjuar fermerët rreth skemës kombëtare për problematikat, shqetësimet dhe për ato që ata sugjerojnë. Ne po i marrim mendimin çdo fermeri dhe më pas do ta vlerësojmë çdo sugjerim edhe sipas buxhetit. Pasi të përfundojmë të gjitha takimet do të dalim me një skemë të re, në të cilën ku do të reflektohen edhe sugjerimet e fermerëve', tha ai.
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për politika mbështetëse që krijojnë qëndrueshmëri, rritje të prodhimit dhe perspektivë reale për fermerët. Sipas ministrit skema Kombëtare 2026 do të synojë të adresojë specifikat rajonale, duke orientuar mbështetjen drejt sektorëve me potencial zhvillimi dhe vlerë të shtuar.
Takimi në Vlorë, në kuadër të turit të konsultimeve me fermerët në mbarë vendin, për përfshirjen e tyre direkte në procesin e hartimit të politikave mbështetëse për sektorin bujqësor hartimin e Skemës Kombëtare 2026 për fermerët, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për orientimin më efikas të financimeve në sektorin e bujqësisë.
Komente











