Sipas tij, Spanja po përjeton një tjetër recesion ekonomik, pas atij të vitit 2009, dhe duhet të përballojë vështirësitë me një borxh “që po na shtyp dhe na kushtëzon”. Gjithsesi, ministri e mbrojti planin e rreptësisë ekonomike të paraqitur nga qeveria e tij, duke theksuar se Spanja duhet të dalë nga kriza brenda kuadrit të Bashkimit Europian dhe Euro-s.
Vështirësitë e vendit u shfaqën edhe mëngjesin e sotëm kur Madridi shiti Bonos me skadencë për vitin 2014, 2017 dhe 2019 me vlerë 2.98 miliardë, pak poshtë objektivit prej 3 miliardësh, ndërkohë që përqindja e interesit është në rritje ndërsa kërkesa në ulje.
Sipas ministrit gjerman të Financave, Schaeuble, Spanja, për shkak të nervozizmit ekstrem të tregjeve, “nuk është në gjendje të menaxhojë e vetme vështirësitë e sektorit të saj bankar” dhe kjo mund të kthehet në një problem për stabilitetin financiar të Eurozonës.
(im/shqiptarja.com)