Ministria e Arsimit i garanton
Leonardës mësimin, ajo refuzon

Ministria e Arsimit i garanton<br />Leonardës mësimin, ajo refuzon
PRISHTINE- Familja Dibrani, me prejardhje etnike rome, javën e kaluar është dëbuar nga Franca në Kosovë.

Ragip Gjoshi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se të gjitha komunitetet në Kosovë kanë të drejtë arsimimi, pa pasur ndonjë diskriminim as racor, gjinor apo të moshës.

Këtu përfshihet edhe mundësia e shkollimit të nxënëses më prejardhje rome, Leonarda Dibrani, rasti i së cilës u bë i njohur për shkak të dëbimit nga Franca.

Ai tha se për të vazhduar mësimin, nxënësit e riatdhesuar kanë nevojë për përshtatje dokumentesh.

Ndërkaq, nëse një nxënës nuk e njeh gjuhën, për të nevojitet mësim plotësues për t'u përgatitur të vijojë mësimin në cilën shkollë të dëshirojë.

Në rastin e Leonardës, ai për "Radion Evropa e Lirë" tha se do të gjenden persona që njohin gjuhën franceze për t'i mundësuar asaj mësimin.

Komuniteti rom, thotë ai, mësimin e ndjek aty ku komuniteti shumicë është shqiptar në gjuhën shqipe, ndërkaq ku gjendet komuniteti serb, mësimi mbahet në gjuhën serbe.

Por, Babai i Leonardës, Reshat Dibrani, thotë se Leonarda dhe fëmijët e tjerë nuk e njohin gjuhën shqipe, kurse shoqërinë e kanë në Francë.  

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë pas riatdhesimit ka bërë angazhimet që mësimet t'i vazhdojnë në shkollën e qytetit të Mitrovicës, mirëpo familja nuk ka pranuar, duke pohuar se momentalisht fëmijët po kalojnë në një krizë të rëndë psikologjike.

Ndërkaq, sa i përket përkujdesjes mjekësore, ata kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor.
 
Leonardës i është bërë ofertë nga presidenti francez Hollande, që të kthehet e vetme në Francë për të vazhduar mësimet, por ajo ka refuzuar, duke insistuar se në Francë dëshiron të kthehet vetëm së bashku me familjen e saj.

Ndërkaq, familja Dibrani, e cila u ekstradua nga Franca për në Kosovë dhe bëri bujë nëpër mediat botërore, është vendosur në Mitrovicë.

Fehmi Fejza, koordinator për kthim në kuadër Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Mitrovicës, tregon se familja është vendosur në një shtëpi private, ndërkaq tashmë janë furnizuar me gjërat e nevojshme elementare.

Departamenti për riintegrim që funksionon në kuadër të Ministrisë se Punëve të Brendshme, po ashtu është angazhuar që të bëhet regjistrimi i tyre në Zyrat e Gjendjes Civile.

Por, vetëm Reshat Dibrani është regjistruar pasi që anëtarët e tjerë të familjes nuk kanë mundur të regjistrohen, për arsye se prindërit nuk kanë kurorëzim.

Nëna e fëmijëve është e lindur në Itali, gjithashtu edhe fëmijët kanë lindur në Itali, përveç fëmijës së vogël i cili ka lindur në Francë.

Po ashtu, zyrtarë të ministrisë thanë se kësaj familjeje do t’i ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme konform Rregullores 20/2013.

Familja Dibrani, e cila është dëbuar nga Franca, është sulmuar të dielën në një nga rrugët e Mitrovicës.

Lidhur më rastin në fjalë, autoritetet e rendit në Mitrovicë kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një person të dyshuar.

Marrë  nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë