Ministria e Brendshme ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Për Ministrinë e Brendshme nënshkroi zv.ministrja Rovena Voda ndërsa në emër të ICMP firmosi Matthew Holliday, drejtues i ICMP për Ballkanin Perëndimor. Ceremonia u bë gjatë një takimi ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të ICMP, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe veprimtarë e ekspertë të shoqërisë civile.

Marrëveshja synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, nga 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur, si dhe për koordinimin e punës me organet përgjegjëse.

(Nënshkrimi i marrëveshjes)

Në fjalën e saj, Voda nënvizoi se ballafaqimi me të kaluarën është një detyrim ligjor dhe moral për të gjitha grupet shoqërore dhe si pasojë shprehu angazhimin e plotë të instancave përkatëse. 

Ne jemi të ndërgjegjshëm se ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili kërkon shumë angazhim dhe punë, të palëve të përfshira në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por shprehim përkushtimin tonë që të ndërmarrim të gjitha masat që ky proces të jetë sa më rezultativ.

Rovena Voda, zv.ministre e Brendshme

ICMP është organizata ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur. Ajo do të krijojë një Zyrë Shërbimi për gjetjen e personave të humbur, duke përdorur metoda tekniko-shkencore të zbulimit dhe identifikimit, si dhe shkëmbimin e informacionit me organet kompetente në kuadër të koordinimit të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e aktivitetit administrativ.