‘Në platformën Gati për Shqipërinë, nuk hyn në punë, as miku, as partia, as larg qoftë arka e peshkut’! Kështu ka deklaruar në një konferencë për shtyp koordinatorja e kësaj platforme Bora Muzhaqi, duke ironizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ish zv.ministren e brendshme Rovena Voda, e cila u arrestua për korrupsion, pasi kishte premtuar një vend pune, ku veç parave, për rryshfet i ishte dhuruar edhe një arkë peshk. Teksa u pyet nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori, në lidhje me burokracitë për punësimin në shtet, zv.ministrja tha se në këtë platformë nuk hyn në lojë as miku e as larg qoftë ‘arka e peshkut’.

‘Ky ka qenë një format aplikimi, ku nuk hyn në lojë, as partia, as miku, as larg qoftë arkat e peshkut.’- tha zv.ministrja Muzhaqi.

Në platformën ‘Gati për Shqipërinë’ një nismë e iniciuar nga kryeministri Edi Rama, pas fitimit të mandatit të tretë, për të ftuar sa më shumë të rinj, të arsimuar brenda dhe jashtë vendit, që të bëhen pjesë e administratës dhe të kontribuojnë për vendin, kanë shprehur interes shumë të rinj. Zv.ministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi, njëkohësisht koordinatore e platformës tha sot në një deklaratë për mediat se kanë aplikuar 701 të rinjtë nga fusha të ndryshme, ku kryeson fushat e ekonomike, jurisprudenca, teknologjia e informacionit e etj. Muzhaqi tha se 51% e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë dhe 49% jetojnë brenda vendit.

‘Jam një shqiptare e kthyer nga jashtë për të kontribuar këtu në vendin tim. Jam e lumtur të them se ka pasur shumë interes nga të rinj dhe të reja. Ky program do të jetë i hapur pa afat. Çdo aplikim do të konsiderohet me shumë interes. ‘Gati për Shqipërinë.al’. Deri dje janë regjistrua 701 aplikime nga fusha më të ndryshme, ku kryeson fusha ekonomike, juspridenca, mjekësia, shkenca e teknologjisë së informacionit etj. 51% e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë. Kanë marrë pjesë 483 aplikues gjatë dëgjesave me kryeministrin. Kemi realizuar takimet e para me 70% të aplikuesve. Po planifikojmë hapësirat e përfshirjes për të siguruar konceptin e nëpunësit digjital.’- tha zv.ministrja Muzhqi.

Kujtojmë se pas fitorës në zgjedhjet e 25 prillit, kryeministri Edi Rama shpalli nismën 'Gati për Shqipërinë' ku u ka kërkuar të rinjve ekselentë në Shqipëri dhe jo vetëm, ide dhe plane për qeverisjen në mandatin e tretë.