Sipas komunikatës për shtyp të kësaj ministrie, mësohet se të kallëzuar penalisht janë Alfred Olli, ish-drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Maksimiljan Dhima, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC, Arben Qesaraj, specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC dhe Adem Kapo, ish-specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit në DPEC.
Në përfundim të auditimit të kryer nga Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë vërejtur një sërë shkeljesh, për të cilat personat e lartpërmendur janë përgjegjës,
Ministria e Punëve të Brendshme argumenton akuzat e saj duke sqaruar se personat e sipërcituar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për Emergjencat Civile kanë dhënë fonde për pesë persona me aktivitet tregtar në shumën 1,000,000 lekë. Përveç vlerës së dëmit ekonomik në shumën e mësipërme, është krijuar mundësia e dëmit ekonomik për detyrimin e buxhetit të shtetit edhe ndaj 31 personave me aktivitet tregtar privat në shumën 143 902 657 lekë.
Gjithashtu, janë akorduar fonde në shumën 58 000.000 lekë për emergjencën e krijuar nga rreshjet e dëborës, pa dokumentacion justifikues.
Këta persona janë përgjegjës pasi kanë dhënë fonde për emergjencë, në kundërshtim me VKM nr.80 datë 12.02.2012 për 11 njësi të qeverisjes vendore në shumën 3 000 000 lekë.
Po ashtu, janë akorduar fonde për ndihmë në katër raste për shumën 600.000 lekë, pa asnjë dokumentacion. Nuk është kryer kontrolli dhe dokumentimi i përdorimit të fondeve të akorduara për emergjencat civile per vitet 2012-2013. Për mallrat që ka përfituar MB nga projekti "Përballimi dhe zbutja e rreziqeve nga fatkeqësitë", është vepruar në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore për administrimin e aseteve. Mungojnë dy mjete motorike (skafe) me vlerë 1 168 494 lekë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal për veprën penale "Shpërdorim i detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, edhe për shtetasen Drita Avdyli, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Shtetësisë dhe Refugjatëve në MPB. Nga auditi i kryer ka rezultuar se Avdyli është përgjegjëse për shpërdorim detyre, në procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare si dhe keqmenaxhimin e aktiveve, me pasoja financiare në buxhetin e shtetit në vlerën 245 125 lekë.
ATSH