Autoritetet shqiptare kanë lëvizur me shpejtësi për të siguruar që Ermal Beqiri, një nga figurat kyçe në dosjen e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t, të jetë në një qeli në Shqipëri, ndërsa hetimi vijon. Gati dy javë pasi u arrestua në Francë teksa pilotonte një avion privat mbi një central bërthamor, ministria shqiptare e Drejtësisë ka nisur sot kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij. Ndaj Beqirajt në Shqipëri rëndojnë dyshimet për 7 vepra të rënda penale, që shkojnë përtej vetëm procedurave me tenderat e AKSHI-t.
"Në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, Ministria e Drejtësisë, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës."
Bashkë me kërkesën autoritetet shqiptare i kanë vënë në dispozicion palës franceze edhe vendimin e Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të cilin u përfshi në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.
Kërkesa është dërguar si me rrugë diplomatike ashtu dhe përmes postës elektronike.
Ndonëse arrestimi i tij në Francë erdhi për një episod të rastësishëm, për autoritetet e ligjit të këtij vendi, emri i tij nuk ishte i panjohur. Për llogari të SPAK, ato e kishin lokalizuar prej javësh vendndodhjen e Beqirit. Paralelisht, Prokuroria e Posaçme, kishtë dërguar dhe kërkesën për sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit Beqiri, që dyshohen të jenë vënë nga aktiviteti i tij i paligjshëm, përfshirë kështjellën në departamentin e Oise me vlerë rreth 2.6 milion euro, llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente dhe mjete motorike. Në Francë ai zotëron dhe një kompani që ofron shërbime IT-je. Në Shqipëri atij i janë sekuestruar ndërkohë, disa pasuri e llogari bankare.
Ermal Beqiri kërkohet nga SPAK lidhur me abuzimet me tenderët e AKSH. Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento